Thaçi vijon edhe sot takimet me liderët politikë

PRISHTINË, 2 prill /ATSH/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, filloi konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj qeverisë.

Gjatë ditës së mërkurë, Thaçi priti në takime të ndara kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurtin, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, si dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.

Kreu i Shtetit ka bashkëbiseduar me liderët politikë për hapat që duhen ndërmarrë si rrugëdalje nga situata e re politike e krijuar pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocion mosbesimi pak ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.

Presidenti Thaçi do të vazhdojë edhe sot konsultimet me partitë e tjera parlamentare.

Ai do të presë kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kreun e Nismës, Fatmir Limaj, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe përfaqësues të grupit parlamentar të 6+.

Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, presidenti ka thënë se do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat e deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.