Përfitimi nga garancia sovrane/ Dy zgjedhje për punonjësit që paguhen në të zezë dhe qiramarrësit pa një kontratë

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Kryeministri Rama deklaroi sot se punonjësit të cilët paguhen në të zezë dhe qiramarrësit që nuk kanë një kontratë me pronarët e shtëpive, kanë dy zgjedhje përballë tyre që të përfitojnë nga lehtësirat që ofron shteti për situatën e krijuar nga epidemia e shkaktuar nga COVID-19.

Rama tha se ata duhet të denoncojnë, nëse duan të përfitojnë nga garancia sovrane dhe njësi speciale po funksionon 20 orë në ditë në ndjekje të shkeljeve në këtë fazë.

“Nëse ka një qira që e paguan, ashtu sikundër ka një punë në të zezë në të cilën paguhet në të zezë, janë dy kategori që janë në zonën më të errët të ekonomisë. Kanë dy zgjedhje: Ose të pranojnë fatin e tyre që e kanë shkruar vetë, sepse nuk kanë bërë asnjë marrëveshje, ose të denoncojnë. Sepse në qoftë se ne hapim këtë lojë, atëhere çdo njeri, apo çdonjëri prej atyre parazitëve që rrinë të gjithë ditën në “Facebook” mund të vijnë e të thonë ‘unë kam punuar në të zezë, më jep lekët’. Ose ‘unë kam qiranë e shtëpisë’. Nëse bëhen denoncime, është e mundur, sepse ne kemi njësinë speciale që funksionon 20 orë në ditë vetëm me ndjekje të shkeljeve në këtë fazë”, – tha Rama. /z.tosku/ /a.g/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.