Paga e luftës/ Fasho e dytë shtesë për të larguarit nga puna dhe aktivitetet e lejuara, por që nuk funksionojnë

TIRANË, 2 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Rama tha sot se përveç mbrojtjes që kemi bërë për pensionistët, biznesin e vogël, të vetëpunësuarit, do të ketë dhe një fasho të dytë shtesë ku do trajtojmë ata që janë të larguar nga puna që janë të regjistruar dhe po klasifikojmë dhe të gjitha aktivitetet e lejuara, por që nuk funksionojnë.

I ftuar në një emision televiziv, Rama tha se kemi dhënë 21 milionë dollarë shtesë për pensionistët, duke iu referuar indeksimit të pensioneve.

Pyetjes se, a do paguhen bizneset që lejohen të jenë të hapura, agjencitë turistike, lavazhet, të cilët e kanë zero aktivitetin, Rama tha ne kemi marrë përsipër mbrojtjen e menjëhershme të pensionistëve për të cilët kemi derdhur 21 milionë dollarë dhe në pensionet e tyre që po i marrin dita-ditës në shtëpi do të marrin më shumë”.

“Kemi marrë përsipër të mbrojmë menjëherë familjet në ndihmë ekonomike që janë më keq se të gjithë të tjerët”, tha ai.

Rama shtoi se, “po të them strategjinë, dhe ne nuk bëjmë dot lëvizje përpara se të shohim se çfarë lëvizje bën armiku, shihet te shifrat që marrim nga fronti i shëndetësisë”.

“Pra dyfishim të ndihmës ekonomike, deri tani është lëvruar dhe po shkon te familjet me ndihmë ekonomike, plus pagën e luftës për biznesin e vogël që nuk punon dot, që tani jemi duke mbledhur të gjitha aplikimet dhe do ta paguajnë drejtpërdrejt në konton bankare”, tha Rama.

Rama shtoi se po shikojmë me shumë vëmendje të gjitha aktivitetet e tjera të lejuara dhe ato biznese që janë të hapura dhe nuk kanë xhiro.

“Janë një sërë aktivitetesh që ne po i klasifikojmë dhe në paketën e dytë të ndihmës do të adresojmë edhe ata që janë të larguar nga puna dhe janë të regjistruar”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.