Mblidhet Byroja e Kuvendit, përgjysmohet paga e deputetëve për një periudhë tremujore

TIRANË, 2 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi sot mbledhjen e posaçme të Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë e cila vendosi përgjysmimin e pagës së deputetëve për një periudhë tremujore.

“Byroja vendosi që, në kuadrin e masave për të lehtësuar përballimin e situatës së pandemisë, krijuar nga koronavirusi COVID-19, në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekur nga masat ndaluese të koronavirusit, paga e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë  të përgjysmohet për një periudhë tremujore”, u shpreh Ruçi.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit, Ruçi, u është drejtuar me një letër drejtuesve të tridhjetë institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, të marrin të njëjtën nismë, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, si kontribut në lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.