KLP operon nga shtëpia, Ambasada amerikane: Drejtësia e vërtetë nuk ndalet kurrë

TIRANË, 2 prill/ATSH / Ambasada amerikane në Tiranë u shpreh sot se vijon të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, jo vetëm në ekspertizë ligjore, por edhe në mbështetje logjistike.

Ambasada amerikane në Tiranë nxit me forcë distancimin social për shkak të pandemisë së COVID-19, por bën të ditur se kjo nuk do të thotë se sistemi i drejtësisë duhet të ndalojë së punuari.

“Ne kemi mbështetur Reformën në Drejtësi prej fillimit dhe vazhdojmë të mbështesim zbatimin e saj, jo vetëm në ekspertizë ligjore por edhe në mbështetje logjistike. Gjatë këtyre ditëve të vështira, jemi të kënaqur të shohim anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë teksa punojnë nga shtëpia”, shprehet Ambasada.

Kompjuterët e tyre portativë, thuhet më tej, ishin pjesë e një dhurimi nga zyra e OPDAT e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Drejtësia e vërtetë nuk ndalet kurrë. SHBA qëndrojnë pranë Shqipërisë”, thuhet më tej. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.