Foto/ Malaj për ATSH: Bashkia e Matit ndau sot 160 pako ushqimore për familjet në nevojë

TIRANË, 2 prill /ATSH – I. Vata/ Bashkia Mat vazhdon shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë dhe vetëm sot kanë përfituar ndihma 160 familje.

Kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj tha për ATSH se ndihmat nuk janë ndalur edhe në mot të vështirë, pasi vetëm sot janë ndarë 160 pako për familjet në nevojë.

“Edhe dje me mot të keq edhe sot nuk na penguan të jemi pranë atyre në nevojë këto ditë. 160 persona/familje janë trajtuar me pako ushqimore. Po ashtu, vazhdon shërbimi edhe në familje që kanë nevojë për asistencë familjare siç janë moshat e treta duke iu dërguar ushqimet në shtëpi”, tha Malaj.

Malaj tha se “ekipet e bashkisë janë në teren dhe po monitorojnë çdo rast të familjeve që kanë nevojë dhe ne po përgatisim planin për mbështetje në vazhdim çdo ditë për të gjitha ata që iu duhet ndihmë. Deri më tani nuk ka mbetur askush pa u ndihmuar dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar se askush nga kjo luftë të mos lëndohet”.

Po ashtu, Malaj u bën apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi pasi bashkia është ajo që iu vjen në ndihmë.

“Ditët me borë nuk e pengojnë të bëjë punën në ndihmë të qytetarëve, pasi ne jemi të përkushtuar t’u shërbejmë njerëzve që kanë nevojë, familjeve me persona me aftësi të kufizuar, pensionistëve që janë vetëm, atyre që nuk kanë mundësi të dalin, pasi kjo luftë nuk fitohet vetëm por bashkë dhe ne jemi në shërbim të kësaj lufte”, u shpreh Malaj. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.