FOKUS – Franca shtetëzon kompanitë strategjike

PARIS, 2 prill /ATSH-DPA/ – – Franca do të shtetëzojë kompanitë strategjike nëse është e nevojshme për t’i mbrojtur ato nga efektet e krizës së koronavirusit, tha sot ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire.

Le Maire tha se ai i kishte dërguar presidentit Emmanuel Macron një listë të kompanive strategjike që mund të rrezikohen potencialisht në treg.

“Ne do të jemi të gatshëm të përdorim të gjitha mjetet e mundshme për të mbrojtur këto kompani duke rritur pjesëmarrjen e aksioneve të shtetit francez, duke i rikapitalizuar, ose, si një mundësi të fundit, duke i shtetëzuar”, tha Le Maire në një konferencë për shtyp.

Ministri i qendrës së djathtë tha se ai nuk po bën thirrje për një ekonomi të administruar nga shteti.

“Nëse shtetëzimet janë të nevojshme, ato do të jenë të përkohshme”, tha ai.

“Shteti është përgjegjës për të mbrojtur kompanitë e tij industriale”, theksoi Le Maire.

Franca hyri në një bllokim të rreptë më 17 mars për të kufizuar përhapjen e koronavirusit. Ekspertët kanë thënë se masat ka të ngjarë të zgjasin deri në fund të prillit.

Zyra Kombëtare e Statistikave, INSEE, javën e kaluar tha se aktiviteti ekonomik ishte ulur 35%./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.