COVID-19/ Tomini: Masat e vetizolimit në momentin e duhur, rol në ndërprerjen e transmetimit

TIRANË, 2 prill /ATSH/- Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini tha se,”masat e vetëizolimit kundër COVID-19, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, pasi janë marrë në momentin e duhur për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit”.

Gjatë një interviste televizive, Tomini, u shpreh se: “Jemi në një trend linear të hasjes pozitive të rasteve me COVID-19 dhe duhet të theksohet se gjurmimi epideomiologjik ka nxjerrë në pah edhe raste të tjera pozitive që nuk kanë qenë me simptoma kundrejt rasteve që janë konfirmuar”.

“Trendi linear është në vijimësi dhe pritet që në javët në vijim të kemi të njëjtën trend të parashikuar dhe ndoshta, me një pik në javën e tretë të prillit, por gjithsesi është gjithçka për t’u parë”-  tha ajo, ndërsa vuri në dukje se në Shqipëri, për shkak të moshës së re, shumë qytetarë mund të jenë duke e kaluar koronavirusin pa simptoma klinike.

Janë duke u vlerësuar skedat epidemiologjike të të gjithë individëve që kanë shenja dhe ata pa simptoma, dhe duhet të vlerësohet fakti që është situatë e pritshme për shfaqjen  e një pandemie.

Tomini tha se, faktikisht rastet e personave të intubuar dhe me sëmundje të tjera shoqëruese e kanë shtuar numrin e vdekjeve në vend dhe kjo tregon anën e zezë të COVID-19.

“Por nga ana tjetër një pjesë e popullatës po e kalon me shenja minimale të infeksionit respirator, dhe këtë e tregon gjurmimi i thellë i rasteve që kanë qenë në kontakt me rastin  pozitiv por nuk kanë shfaqur shenja. Por gjurmimi i thellë epidemiologjik ka zbuluar që këto  raste kanë qenë pozitive pavarësisht mungesës së shenjave. Duke qenë se kemi transmetim komunitar është e pritshme të kemi edhe asimptomatikë dhe ta kalojnë pa shenja”, tha Tomini, ndërsa theksoi se ky lloj intensiteti duhet të vijojë pa patur një bum siç  po e përjetojnë shtetet e tjera.

Tomini shpjegoi se rastet pediatrike me COVID-19, janë nga kontaktet e ngushta nga pjesëtarë të familjes që janë prekur me COVID-19. Por tek fëmijët është fakti që nuk kanë prezencë të shenjave klinike alarmuese, por shenja të një infeksioni viral të lehtë. “Mosha pediatrike nuk ka shfaqur deri më tani shenja klinike të agravuara, por kanë shfaqur një klinikë të lehtë” tha Tomini.

Ajo theksoi se, gjurmimi ndaj COVID- 19 po bëhet me përpikmëri dhe i bëri apel  qytetarëve të respektojnë distancimin social dhe të informojnë mjekët për kronologjinë që kanë kaluar. Mjekët po bëjnë maksimalisht për rekuperimin e gjendjes së pacientëve që janë në pavijon me gjendje të mesme dhe ata në terapi intensive në gjendje më të rëndë, po shërbejnë kundrejt asnjë lloj dallimi pa neglizhuar asnjë element”, tha Tomini.

“Janë 76 raste të rikuperuar dhe ky është një lajm i mirë inkurajues”, tha ajo. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.