Rama: Puna në fshat vijon, në mars 18% më shumë eksporte bujqësore

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pavarësisht situatës së jashtëzakonshme, aktiviteti në sektorin bujqësor vijon, madje sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Doganave, vetëm gjatë muajit mars 2020 kemi 18% më shumë eksporte të prodhimeve bujqësore krahasuar me marsin 2019.

Rama publikoi sot shifra zyrtare dhe fakte nga puna në fshat.

“Edhe tre muajt e parë të këtij viti janë me rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar”, tha Rama.

Ai shtoi se “askush nuk e parashikon dot se sa do të zgjasë lufta. Deri tani, falë punës së admirueshme në fshat, ku edhe rreziku është i ulët dhe lejeve të punës për zinxhirin e aktivitetit prodhues, grumbullues e shpërndarës, konstatojmë me gëzim se qëndrueshmërinë e sektorit në tërësi – ndonëse ka një çekuilibrim të tregut për disa produkte të caktuara që mbetet një problem i krijuar nga lufta”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “fermerët dhe blegtorët do të vijojnë punën normalisht, duke iu përshtatur me vetëdije e këmbëngulje, masat individuale mbrojtëse ndaj armikut”.

/m.m/ /a.a/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.