Masat kufizuese ndaj COVID-19/ Mbi 25 800 pensionistë janë ndihmuar me ushqime dhe barna

TIRANË, 1 prill/ATSH-Gjergji Mima/  “Ne kemi ndihmuar vetëm për t’iu blerë dhe për t’iu çuar barnat 25 800 e kusur pensionistëve në shtëpi”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I pyetur në një intervistë televizive në lidhje me mbështetjen ndaj pensionistëve, të cilët janë në vështirësi në këto ditë lufte, Rama tha se, “vëzhgimet e televizioneve janë absolutisht legjitime dhe janë puna e televizioneve dhe patjetër që vëzhgimet e televizioneve mund të zbulojnë pensionistë që kanë probleme me shtetin dhe me burokracinë edhe në mes të Nju-Jorkut, apo në cilindo vend. Që do të thotë që ky është një proces ku nuk mund të pretendojmë asesi që gjërat janë perfekt. Ky është një proces që ka dhimbjet e veta në çdo aspekt dhe ka edhe një ngarkesë të jashtëzakonshme për ne”.

Rama solli shembullin e aplikacionit online. “Aplikacioni online në ditën e tij të parë dhe të dytë nuk funksionoi në mënyrë perfekte, për një mijë e një arsye, përfshirë këtu arsyeja objektive për shkak të një vonese të krijuar nga kompanitë celulare dhe 999 arsye të tjera që vinin nga mospërqendrimi i atyre që ankoheshin në procedurë. Pra deri dhe njerëz që duhet t’u lexonim ku ishte numri i tyre i kartës së  identitetit. Sepse askush nuk e ka parë numrin e kartës së vet të identitetit dhe mund të ketë midis nesh njerëz që nuk e dinë ku është. Që do të thotë që ky është një proces”, tha Rama.

Ne, theksoi kreu i qeverisë, “po arrijmë që pensionistëve t’u shërbejmë. Jo më larg sesa përpara se të kisha takimin me bankat dhe pas takimit me bankat të vija këtu në këtë takim me ju, unë kam parë shifrën që ne kemi ndihmuar vetëm për t’iu blerë dhe për t’iu çuar barnat 25 800 e kusur pensionistëve në shtëpi. Që do të thotë patjetër që ka pensionistë, të cilët e kanë këtë problem tani që po flasim bashkë. Dhe ne jemi këtu për t’i zgjidhur këto probleme me sa më shumë shpejtësi që të kemi mundësi”.

“Unë e filloj ditën time me një mesazh për të gjithë kryetarët e bashkive, pensionistët, pensionistët, pensionistët. E vazhdoj ditën time duke pyetur çdo orë, çdo orë, çdo 60 minuta për pensionistët, pensionistët, pensionistët. Dhe në fund e mbyll ditën time me shifrat e shërbimeve për pensionistët dhe e filloj përsëri duke parë pensionistët”, theksoi Rama./j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.