MALI I ZI – Rritet numri i të infektuarve me COVID-19

PODGORICË, 1 prill /ATSH-AA/ – Mali i Zi ka regjistruar 11 raste të reja me koronavirus, çka e çon numrin e përgjithshëm në 120.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, Boban Mugosha, tha se numri më i madh i të infektuarve të ri është në Podgoricë (10), ndërsa rasti i parë është regjistruar në Nikshiç.

“Ajo që kemi paralajmëruar se do të ndodhë, transmetimi lokal i virusit, po ndodh tani. Masat që merren duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze sepse është mënyra e vetme për të luftuar këtë epidemi”, tha Mugosha në një konferencë për shtyp.

Ai paralajmëroi që çdo kontakt fizik, ku nuk ka distancë të mjaftueshme, është një rrezik i lartë.

Mugosha u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë masat e përcaktuara nga Autoriteti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive për të parandaluar përhapjen e virusit.

Shefja e Shtabit Operativ, Vesna Miranoviç, tha se 1 096 persona janë në karantinë ose 50 më pak se një ditë më parë, sepse një nga karantinat në Danilovgrad ishte zbrazur.

Ajo tha se njerëzit që ishin në karantinë në atë qytet ishin kthyer në shtëpi për të vazhduar izolimin atje.

Ajo tha se me koronavirus ishte infektuar një person i cili ishte në karantinë në Qendrën Studentore në Podgoricë.

“Të gjithë personat që erdhën në kontakt me të, ose që erdhën në Mal të Zi me të njëjtin fluturim, janë testuar dhe kanë rezultuar negativë”, tha Miranoviç./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.