Kryebashkiaku Gjonaj për ATSH-në: Pavarësisht motit, nuk e kemi ndalur punën në ndihmë të shtresave në nevojë


TIRANË, 1 prill/ATSH/ Bashkia e Pukës, e mbuluar sot në të gjithë territorin e saj nga reshjet e borës që në lartësi arritën në 30 cm ka vijuar sërish punën në ndihmë të moshuarve dhe shtresave në nevojë.

Kryetari i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, bën të ditur për ATSH se dhe sot Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe grupi i ngritur nga administrata ju kanë ardhur në ndihmë 15 familjeve me ushqime dhe miell, një prej të cilave kishte kërkuar ndihmë në portalin e bashkëqeverisjes, ndërkohë që 3 familje u ndihmuan me medikamente dhe 14 familje të tjera janë ndihmuar në transportin e ushqimeve në fshatrat Mardhnaq, Korthpulë, Vrrith e Kaftall”.

“Ne kemi nisur prej tre ditësh të asistojmë banorët në qytet dhe fshatra duke ju kryer transportin e ushqimeve. Është e vështirë, por më mirë kështu se ata të dalin jashtë. Banorët që duan të blejnë ushqime apo materiale të tjera kontaktojnë kryeplakun ose administratorin dhe ai merr të gjithë kërkesat e ditës duke përcaktuar shpesh dhe dyqanet sipas preferencave”, – theksoi Gjonaj.

Kreu i bashkisë Pukë  u shpreh se “punonjësit tanë dhe mjetet e bashkisë tërheqin mallrat bashkë me faturat përkatëse dhe i dërgojnë në fshat sipas familjeve. Kështu ata nuk kanë pse të dalin fare jashtë, por të mbrojnë veten e në këtë mënyrë dhe të tjerët”.

“Krahas këtyre shërbimeve në kuadër të masave për parandalimin e situatës ka vijuar puna dhe për zhbllokimin e rrugëve, por kësaj radhe duke lidhur vetëm qendrat shëndetësore me rrugët nacionale në mënyrë që në raste emergjente të mos këtë vështirësi”, – tha Gjonaj.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.