GREQI – Presidentja Sakellaropolu falenderon emigranten shqiptare për maskat e bëra falas

ATHINË, 1 prill /ATSH/ – Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropolu e ka telefonuar dhe e ka falenderuar një emigrante shqiptare që me gjestin e saj human qepi 600 maska kirugjikale, të cilat ia dhuroi spitalit në qytetin e Grevenesë, njoftoi media greke.

Agjencia greke e lajmeve, ANA tregon historinë e Elona Agollit nga Korça, të cilën kur e morën në telefon nga spitali i Grevenesë dhe i kërkuan nëse mund të përgatiste 600 maska kirurgjikale, pa u menduar fare, ajo tha menjëherë që mund t’i bënte.

“Kam dëgjuar vazhdimisht në lajme se ka mungesë të maskave në spitale dhe që mjekët dhe infermierët po kërkojnë vazhdimisht. Unë i thashë zonjës menjëherë se nuk dua para’ dhe se do t’i bëj falas dhe do t’i siguroja spitalit dhe punonjësve që kanë nevojë”, thotë Elona.

Elona ka një dyqan veshjesh në Grevena dhe një repart të vogël ku qep veshjet e klientëve të saj.

”Në këto ditë të vështira na duhet të ndihmojnë, ku mundemi… për të përballuar situatën”, përfundon ajo.

Elona Agolli është nga Korça, nënë e dy fëmijëve, një vajze 18-vjeçare dhe një djali 9-vjeçar. Ajo erdhi me bashkëshortin e saj nga Shqipëria dhe ka jetuar dhe punuar në Grevena gjatë 21 viteve të fundit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.