COVID-19/ Sistemi bankar solid dhe i gatshëm të kontribuojë në përballimin e situatës

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Sistemi bankar në vend është solid dhe me tregues shumë të mirë të shëndetit financiar, dhe i gatshëm për të dhënë gjithë kontributin e nevojshëm për përballimin e kësaj situate.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka zhvilluar një videokonferencë me Kryeministrin Edi Rama, ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe drejtuesit e bankave tregtare për të diskutuar mbi rolin dhe mbështetjen që sistemi bankar mund të japë për kapërcimin e situatës dhe minimizimin e efekteve të mundshme negative të krijuara nga pandemia COVID-19.

Gjatë kësaj videokonference u trajtuan një sërë çështjesh, duke filluar me zbatimin e masave të marra më parë dhe më tej me zhvillimet e pritshme për t’i paraprirë efekteve të mundshme të zgjatjes së pandemisë.

Në një njoftim për shtyp BSH-ja, bën të ditur se, fillimisht, diskutimi u ndal në procesin e riskedulimit të kësteve të kredive për të akomoduar sa më tepër kërkesa të ardhura nga ata klientë, gjendja financiare e të cilëve është ndikuar negativisht nga kjo situatë, në mënyrë që të lehtësohet barra e tyre financiare e momentit.

Në kuadër të masave të marra nga Qeveria Shqiptare, u trajtua edhe hapja e llogarive të reja bankare për të gjitha ato palë që do të përfitojnë nga paketa sociale e vënë në dispozicion nga qeveria dhe që aktualisht nuk janë të pajisur me një llogari. Për të lehtësuar këtë proces, u diskutua hapja e këtyre llogarive në një kohë sa më të shkurtër dhe pa kosto të panevojshme.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte dhe orari i funksionimit të bankave, i cili është përshtatur me fashat e orareve të lejuara të lëvizjes së popullsisë, për t’u krijuar klientëve aksesin e nevojshëm për të kryer veprimet e domosdoshme. Për të shfrytëzuar në maksimum oraret e lejuara të lëvizjes së popullsisë, u trajtua opsioni i lehtësimit të lëvizjes së punonjësve të bankave përtej orarit të lejuar.

Në lidhje me fondin e garancisë së ofruar nga qeveria shqiptare, për të mbështetur me kredi nga ana e bankave ato kompani që janë në vështirësi për të kryer pagesat mujore të punonjësve të tyre, u diskutua mundësia për ta shfrytëzuar atë sa më tepër, me një qasje sa më pozitive, fleksibile dhe proaktive nga ana e sektorit bankar. Qëllimi është që të sigurohet përfitimi i sa më shumë njerëzve, duke qenë se kredia e akorduar për këtë qëllim konsiderohet praktikisht me rrezik 0, si rrjedhojë e garantimit nga sovrani.

Ndërkohë, likuiditeti i  bollshëm​ që sistemi bankar zotëron, sot u jep mundësinë bankave të marrin pjesë në mënyrë më aktive në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë shqiptare, duke ndihmuar nevojat që ka qeveria në këtë periudhë, por njëkohësisht mund të vlerësohet dhe si një oportunitet investimi për vetë sistemin duke qenë se aktiviteti kredidhënës ka pësuar vështirësi.

Guvernatori Sejko nga ana e tij ka paraqitur situatën në sektorin bankar në vend dhe masat rregullative të marra nga ana e Bankës së Shqipërisë për t’u ardhur në ndihmë bankave dhe për t’iu lehtësuar proceset e aktivitetit operacional në kushtet që ndodhemi. Më tej, Guvernatori siguroi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme që i njeh ligji, në bashkëpunim me gjithë autoritetet në vend, me qëllim kapërcimin e kësaj situate dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.

Bankat nga ana e tyre shprehën angazhimin maksimal dhe vullnetin e mirë për të kontribuar sa më tepër në krijimin e lehtësive për të gjitha masat e përmendura më sipër si dhe siguruan se do të vijojnë të luajnë një rol aktiv edhe më tej, deri në kapërcimin e plotë të kësaj situate. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.