COVID-19/ Basha: Anulimi i procedurave të prokurimit të kthehet në vendim qeverie

TIRANË, 1 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përshëndetur vendimin e qeverisë për anulimin e tenderave publikë dhe zbatimin e paketës së ndihmës për situatën emergjente nga COVID-19.

Në një komunikim me gazetarët sot Basha tha se “prej më shumë dy javësh i kam kërkuar qeverisë të anulojë çdo procedurë prokurimi që nuk lidhet me emergjencën dhe me menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID -19. Sot mësuam jozyrtarisht nga faqja e Agjencisë së Prokurimeve Publike, APP, që qeveria ka vendosur anulimin e prokurimeve”.

“Së pari, dua të uroj që ky të jetë një lajm i vërtetë. Ndonëse një vendim i vonuar, më mirë vonë sesa kurrë. Së dyti, dua t’i kërkoj qeverisë, që bën njoftime zyrtare për çështje shumë më të vogla se kjo që, këtë njoftim të APP, ta kthejë menjëherë në vendim qeveritar të qartë dhe të prerë. Sot emergjenca është dedikimi i çdo fondi për të menaxhuar situatën shëndetësore dhe ekonomike, e cila sa vjen dhe rëndohet”, tha ai.

Basha tha se “në 72 orët e fundit është dhjetëfishuar numri i mesazheve që marr nga familjet në nevojë ekonomike që nuk kanë asnjë lloj ndihme as ushqimore dhe as financiare. Ne po bëjmë sa mundet, por kjo nuk është diçka që mund t’i përgjigjemi me vullnetarizmin e shoqërisë, apo të opozitës kjo është detyrë e qeverisë. Prandaj duhet lënë mënjanë çdo lloj propagande”.

Basha theksoi se “është e pafalshme të vazhdojnë kontratat koncesionare, 120 mln euro rezervë të cilat urgjentisht të derdhen tek Emergjencat. Është e pafalshme të mos rishikohet urgjentisht buxheti duke ndërprerë ato shpenzime operative dhe ato shpenzime publike tashmë të dala jashtë nevojave të situatës, në mënyrë që të mbështeten të gjitha familjet në nevojë. Kjo është kërkesa ime e përsëritur institucionalisht. Nuk ka kohë për fjalë boshe. Ky është momenti për të bërë gjithçka për të ndihmuar ata. Anulimi i kontratave koncesionare”.

“Hapi i sotëm i cili duhet të kthehet në vendim qeverie për pezullimin e çdo prokurimi, shkurtimi i shpenzimeve operative të qeverisë, shkurtimi i investimeve publike në ato fusha që nuk janë të domosdoshme dhe trefishimi i menjëhershëm i paketës së  pamjaftueshme të shpallur. Dhe së dyti, nisja nga zbatimi i kësaj pakete. Paketë e mbështeta si një hap të parë të pamjaftueshëm, por të nisë zbatimi i saj”, tha ai.

Basha kërkon vënien në zbatim të planit të qeverisë, pasi sipas tij është i vonuar.

“Sot është 1 prill, ka filluar muaji tjetër dhe paratë të cilat duhet të ishin në konton e qytetarëve nuk janë aty. Prandaj edhe një herë në shpirtin e konstruktivitetit dhe luajalitetit në raport me interesin e qytetarëve duke përshëndetur hapin e vonë që është hedhur sot  me anulimin e tenderave publikë që nuk kanë lidhje me krizën dua të kërkojë, kërkoj hedhjen e hapave të tjerë për të mos vonuar dhe mos kërcënuar shqiptarë për bukën e gojës apo rrënuar ekonominë”, tha ai. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.