BULLGARI – Të gjithë deputetët testohen për COVID-19 pas infektimit të kolegut të tyre

SOFJE, 1 prill /ATSH/ – Të gjithë deputetët bullgarë do t’i nënshtrohen sot testeve të koronavirusit, pasi një anëtar i parlamentit u testua pozitiv për sëmundjen COVID-19, deklaroi kryetarja e Asamblesë Kombëtare, Tsveta Karayancheva në një konferencë urgjene shtypi, sipas agjencisë bullgare të lajmeve, BTA dhe radios ”Europa e lirë”.

”Ligjvënësi që është testuar pozitiv është Hasan Ademov, anëtar i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë e Qendrës së Djathtë (MRF)”, tha Karayancheva.

Gjenerali Ventsislav Mutafchiiski, shefi i Shtabit Kombëtar të Operacioneve Bullgare, tha sot se Ademov ishte në spital, por nuk dha detaje të tjera.

Parlamenti me 240 anëtarë është planifikuar të zhvillojë një seancë për përditësimin e  buxhetit më 2 prill.

Deri më 31 mars, Bullgaria kishte konfirmuar gati 400 raste të infeksioneve me koronavirus dhe tetë vdekje./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.