Bashkia Tiranë fal qiratë e banesave sociale për marsin dhe prillin, përfitojnë 385 familje

TIRANË, 1 prill/ATSH/ “Duke qenë se fillon muaji e duhen paguar qiratë e muajit paraardhës, bashkia e Tiranës do të falë të gjitha qiratë për banesat që jep për efekt social”.

Lajmin e mirë e dha vetë kryebashkiaku Veliaj pas mbledhjes online të Këshillit bashkiak. Prej këtij vendimi përfitojnë qindra familje në banesa sociale.

“Këshilli bashkiak është mbledhur për të vendosur faljen e qirave për të gjithë ata që marrin me qira banesa sociale, apartamente nga bashkia Tiranë për muajt mars dhe prill. Përfitojnë 385 familje. Unë e kuptoj që krahasuar me mijëra familje që jetojnë në Tiranë me qira, ky është një kontribut modest, por donim që të jepnim ne shembullin e parë të faljes së qirasë për muajt mars dhe prill dhe nëse do jetë nevoja në varësi sesa vazhdon kjo krizë, edhe për muajt e tjerë”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj ftoi këdo që jep hapësira me qira, ta falë pagesën për marsin e prillin, duke pasur parasysh se s’kanë pasur aktivitet ekonomik.

“Do të doja shumë që këtë shembull ta ndiqnin të gjithë. Shumë lokale, shumë biznese, shumë zyra, shumë dyqane, nuk kanë pasur punë marsin dhe me gjasa edhe një pjesë të prillit, ndaj për dikë që është qiraxhi, do të thotë që ka ku jeton, ka dhënë shtëpinë e 2-të, ose të 3-të me qira. Për dikë që ka prona, pra ka asete, nuk është për bukën e gojës dhe i ka dhënë këto asete me qira, dhe me këto qira ka jetuar mirë këto kohë, ky është momenti për ta ndjekur këtë shembull, duhet që gjithësecili ta japi këtë kontribut. Sigurisht që kjo është një marrëdhënie private, është një kontratë që është lidhur mes dy privatëve dhe bashkia mund të vendosi për qiratë që ka vetë, por jo për qiratë që kanë lidhur privatët mes tyre. Por tani lipset që të kemi edhe një kontratë zemrash, jo vetëm një kontratë financiare, jo vetëm një kontratë pronash, lipset që të shërbejmë edhe pak energji të mire”, theksoi Veliaj.

Kreu i bashkisë u shpreh se kjo është një situatë ku pavarësisht kritikave të gjithologëve, secili mund të japë kontributin e tij.

“Unë e di që në situata të tilla, lumi i kritikëve dhe i të gjithë atyre që janë gjithologë dhe japin mend për gjithçka, është i pafund. Por di të them që është shumë herë më shumë vrulli, energjia, pozitiviteti, optimizmi i atyre që janë njerëz të mirë, i atyre që nuk kanë kohë për llafe, i atyre që nuk specializohen në të shara, apo në të treguar cenet e secilit, por që thonë – Unë dua të jap një kontribut. Për të gjithë ata që janë pronarë dhe kanë ambiente me qira, ky është momenti juaj, mund të bëni diçka qoftë edhe duke i falur qiramarrësit tuaj këtë muaj dhe muajin pasardhës. Unë e di që jemi në një situatë të vështirë, por secili mund të bëjë sa mundet”, nënvizoi Veliaj.

Ai u bëri apel qytetarëve që të qëndrojnë në banesat e tyre ndërsa theksoi se për çdo nevojë do të kenë ndihmën nga ana e Bashkisë. “Ju falënderoj të gjithëve, ju dua fort, rrini në shtëpi sidomos nëse jeni të moshuar, ose nëse keni probleme me shëndetin. Nëse jeni të rinj dhe po shërbeni, ju lutem fillimisht kujdesuni për veten teksa kujdeseni për të tjerët dhe unë jam i bindur që nëse një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës do të përfitojnë dhe nga kjo falje e qirave si të bashkisë, apo të privatëve, do dalim më të fortë dhe më të bashkuar nga kjo histori”, tha Veliaj./m.m/ /a.g/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.