40 cm dëborë në Dibër, Imeraj për ATSH: Rruga nacionale e hapur, mjetet e autorizuara lëvizin me zinxhirë

TIRANË, 1 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i bashkisë Dibër Dionis Imeraj u shpreh sot se Dibra u gjend sot mbuluar nga dëbora, trashësia e së cilës ka arritur në 40 cm, por rruga nacionale është e kalueshme.

Kryetari i bashkisë Dibër, Imeraj tha sot se “në të zbardhur të ditës së sotme, 1 prill, e gjithë prefektura e Dibrës është mbuluar nga bora”.

“Reshjet e dendura të dëborës kanë prekur në Dibër pemëtarinë dhe kanë sjellë në orët e para të mëngjesit vështirësi në qarkullim. Reshjet më të mëdha kanë prekur njësitë administrative të Arrënit, Lurës, Selishtës ku qarkullimi bëhet me zinxhirë”, tha ai.

Po ashtu, Imeraj theksoi se rruga nacionale është e hapur dhe të gjitha mjetë e autorizuara lëvizin me zinxhirë.

Ai shton se bashkia vazhdon punën për masa për kujdesin ndaj familjeve në nevojë dhe kryesisht pensionistëve që e kanë të pamundur t’i shërbejnë vetes. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.