VIDEO/ Kryebashkiaku Bushi për ATSH-në: Deri tani ndihma për 850 familje në nevojë dhe pensionistë

TIRANË, 31 mars/ATSH/ Bashkia e Krujës vijon angazhimin solidar në mbështetje të familjeve në nevoje ekonomike, pensionistë të vetmuar apo kryefamiljarë me aftësi të kufizuara, të cilët janë të izoluar si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, tha për ATSH-në “deri tani janë ndihmuar me pako ushqimore 850 familje në nevojë dhe pensionistë të vetmuar”.

Bushi tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe organizatën “Fundjavë Ndryshe” vijon operacioni humanitar për t’i ardhur në ndihmë edhe familjeve të tjera në nevojë.

“Ky proces do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, pasi lista e familjeve që kanë nevojë për mbështetje shkon në 1800”, – tha Bushi për ATSH.

Kryebashkiaku i Krujës u shpreh se “paralelisht me këtë gjë, për pensionistët, të cilët e kanë kategorikisht të ndaluar të dalin nga shtëpia e tyre, çdo punonjës i bashkisë Krujë do të ketë nën patronazh 2-3 familje me pensionistë, të cilët janë të vetmuar ose fëmijët e tyre i kanë jashtë Shqipërisë”.

Një vëmendje të veçantë bashkia i ka kushtuar edhe dezinfektimit të rrugëve dhe hapësirave publike në qytet.

“Pjesë e rëndësishme e masave të ndërmarra nga bashkia Krujë është dezinfektimi i rrugëve kryesore, vendet ku ofrohet shërbim ndaj qytetarëve, si supermarkete, tregje, bankomate, furra buke, sportele shërbimi etj.Gjithashtu, vëmendje e shtuar është në zonën ku ne kemi tashmë një vatër të pandemisë dhe ku dezinfektimi i lagjes është bërë, po ashtu dhe rrugëve në atë zonë”, – tha Bushi për ATSH.

Bashkia e Krujës ka vënë në dispozicion numrin 0511 2 2170 për çdo nevojë që kanë familjarët e izoluar.  /k.s/ /a.g/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.