Tifoz me “Juventusin” dhe Italinë, Rama në faqet e para të gazetave sportive italiane

TIRANË, 31 mars/ATSH- A. Fortuzi/ E përditshmja torineze “Tuttosport” i ka kushtuar të martën titullin e faqes së parë kryeministrit Edi Rama, i cili ka “rrëmbyer” Italinë me vendimin për të dërguar 30 mjekë dhe infermierë në Breshia, në ndihmë të Italisë, në kuadër të betejës ndaj COVID 19.

“Bëj tifo për Italinë dhe ‘Juven’”, ky është titulli kryesor i “Tuttosport”, sot. “Edi Rama ka joshur italianët në dy minuta e 20 sekonda dhe me një gjest fisnik, sigurisht. Kryeministri i Shqipërisë ka nisur drejt Italisë 30 mjekë”, shkruan “Tuttosport”, ndërsa citon dhe fjalët e Kryeministrit Rama: “30 pjesëtarë të armatës sonë të bluzave të bardha. Nuk jemi të pasur dhe nuk e kemi memorien e shkurtër. Nuk i braktisim miqtë në kohë të vështirë”, – nënvizoi Rama”, shkruan në artikullin e saj ndër të tjera “Tuttosport”.

“Asnjë retorikë, po pozitivitet dhe një zemër të madhe nga një personazh eklektik. Ish-basketbollist në rini, i apasionuar në sport, piktor, pedagog në Akademinë e Arteve, Rama nisi politikën në fillim të viteve ’90, për t’u ngjitur shkallë-shkallë deri në pozicionin e kryeministrit”, vijon shkrimi.

“Kryeministri Rama asnjëherë nuk e ka mohuar pasionin e tij për “Juventusin” dhe Italinë”, vijon shkrimi.

“Ne ndihemi pjesë e shtetit tuaj. Virusi mposhtet me metodën Saki (ish-trajner i ‘Milanit’). Të mëdhenjtë vendosen në shërbim të grupit. Ronaldo dhe Bufon janë njerëz që i admiroj, sepse kanë një shpirt të madh”, citohet Rama në faqen e parë të “Tuttosport”.

“La Gazzetta” gjithashtu i ka kushtuar një shkrim kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e etiketuar si “Mik i Italisë”. “Miku italianëve, kryeministri i Shqipërisë, tifoz i ‘Juventusit’, i cili ka pasion basketbollin, u solidarizua me situatën e rëndë të krijuar nga COVID-19 dhe dërgoi në Itali, Breshia 30 mjekë e infermierë”, shkruan ndër të tjera “La Gazzetta”.

“Kryeministri Rama, i Shqipërisë së vogël me zemër të madhe, nuk ka sjellë vetëm 30 mjekë e infermierë, por i ka kthyer dinjitetin kontinentit”, shkruhet në “La Gazzetta”.

/j.p/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.