INDONEZI – Lirohen 30 000 të burgosur për frenimin e COVID-19

XHAKARTA, 31 mars /ATSH-DPA/ – Indonezia do të lirojë rreth 30 000 të burgosur më shpejt nga masa e dënimit për të frenuar përhapjen e koronavirusit nëpër burgje, tha sot  Ministria indoneziane e Drejtësisë.

”Të burgosurit që kanë kryer dy të tretat e dënimit deri në dhjetor do të lirohen nën programe asimilimi dhe riintegrimi”, tha ministria në një dekret.

”Të burgosurit e mitur që do të kenë vuajtur gjysmën e dënimeve me burg deri në dhjetor, gjithashtu do të lirohen”, shtoi ministria e sipërcituar.

Burgjet indoneziane janë famëkeqe për mbipopullimin.

Aktivistët e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar qeverisë të lirojë të burgosurit e dënuar për përdorimin e drogës për të zvogëluar presionin gjatë pandemisë.

Indonezia ka regjistruar deri tani 1 528 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 136 vdekje.

Xhakarta, epiqendra e shpërthimit, ka 747 raste të konfirmuara dhe 83 vdekje.

Ministri i Jashtëm indonezian, Retno Marsudi tha se qeveria do të pezullojë të gjitha ardhjet nga jashtë si edhe tranzitin në Indonezi, si pjesë e masave kundër përhapjes së koronavirusit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.