Ekipi i mjekëve shqiptarë në Itali/ BE: Shembull perfekt i solidaritetit europian

TIRANË, 31 mars /ATSH – I. Vata/ Delegacioni i BE-së në Shqipëri tha sot se dërgesa e 30 mjekëve shqiptarë në ndihmë të Italisë është një shembull perfekt i solidaritetit europian.

Delegacioni i BE-së shprehet se “të shtunën e kaluar, Shqipëria dërgoi 30 mjekë dhe infermierë në Itali për të mbështetur fqinjin e saj të goditur rëndë në luftën kundër koronavirusit. Ky është një shembull perfekt i solidariteti europian”.

“Më 28 mars 2020, Shqipëria dërgoi 30 mjekë dhe infermierë në Itali për të mbështetur fqinjin e saj të goditur rëndë në luftën kundër koronavirusit. Ndërsa e gjithë bota, përfshirë Ballkanin Perëndimor, po përpiqet të luftojë pandeminë e koronavirusit, Shqipëria, në një akt solidariteti dhe miqësie, vendosi të dërgojë 30 mjekë dhe infermierë në Itali, për të mbështetur fqinjin e saj në këto kohëra krize. Mjekët profesionistë shqiptarë dolën vullnetarë për të punuar në Lombardi, në zonën përreth Bergamos, rajoni më i prekur në Itali. Ata do të punojnë krah për krah me kolegët e tyre italianë për një periudhë njëmujore. Me mbi 11.500 të vdekur, Italia ka numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me koronavirusin në botë deri tani”, shprehet delegacioni i BE-së në Shqipëri. /a.a/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.