COVID-19/ Tregjet furnizohen normalisht, çmimet e shitjes nuk ndryshojnë

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Tregjet e vendit vijojnë të furnizohen normalisht me të gjitha llojet e produkteve bujqësore dhe çmimet e shitjes së tyre nuk kanë ndryshuar, janë të qëndrueshme, në kushtet e masave kundër COVID-19, kur është kufizuar ndjeshëm lëvizja e qytetarëve.

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) bën të ditur se, “në tregjet e vendit nuk ka asnjë mungesë në produktet bujqësore, blegtorale dhe ushqimore nga industria agropërpunuese dhe çmimet e shitjes janë të stabilizuara në çdo hallkë të zinxhirit të shitjes”.

Sipas KASH, “eksportet dhe importet bujqësore vijojnë. Fermerët dhe agropërpunuesit punojnë duke respektuar masat mbrojtëse ndaj COVID-19. Në bashkëpunim edhe me institucionet e linjës, ekspertët e KASH po kontribuojmë në sensibilizimin e komunitetit  rural për respektimin e masave kundër COVID-19 në shitjen e produkteve, si dhe në zgjidhjen e probleme që mund të sjellë situata e jashtëzakonshme”. e.xh/ /a.g/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.