Agjencia Kombëtare e Barnave: Asnjë spital privat nuk ka licencë për testin e COVID-19

TIRANË, 31 mars/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore deklaroi sot se deri më tani nuk ka lëshuar asnjë certifikatë regjistrimi për Reagentët In Vitro për subjektet private, për diagnostikimin e COVID-19.

Në një deklaratë për shtyp AKBPM thekson se deri tani ky testim mund të kryhet vetëm nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Duke u bazuar në Ligjin Nr. 89/2014 “Për Pajisjet Mjekësore”; VKM Nr.89 datë 09.03.2016 “Për Kërkesat Thelbësore, Markimin CE dhe Vlerësimin e Konformitetit të Pajisje Mjekësore Diagnostikuese In Vitro”  si dhe në Urdhrin Nr. 734 datë 18.10.2018 “Për disa ndryshime në Urdhrin nr. 360 datë 22.08.2016 të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Mbi Procedurat dhe Rregullat për Regjistrimin e Pajisjeve Mjekësore Ndryshimet dhe Anulimin e Regjistrimit të tyre, Dokumentacionin e Nevojshëm dhe Kostot Përkatëse” i ndryshuar me Urdhër Nr. 734 datë 18.10.2018, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore deri më tani nuk ka lëshuar asnjë certifikatë regjistrimi për Reagentët In Vitro për subjektet private, për diagnostikimin e COVID-19″, theksohet në deklaratën e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore./k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.