Rolando Lekaj, artisti shqiptar që jeton në Kinë dhuron 200 mijë maska për mjekët në Shqipëri

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Artisti shqiptar Rolando Lekaj, i cili jeton në Kinë, së bashku me bashkëshorten e tij, do të dhurojnë 200 000 maska për mbrojtjen e mjekëve në Shqipëri nga koronavirusi.

Gjithashtu, Rolando u bën thirrje shqiptarëve të qëndrojnë në shtëpi në këto ditë të vështira, bëri të ditur sot Ministria e Shtetit dhe Diasporës.

“Kam nderin dhe kënaqësinë të ndaj me ju miq të dashur këtë lajm të mirë për Shqipërinë tonë të dashur. Unë dhe nusja ime kemi vendosur të ndihmojmë Shqipërinë në këto ditë të vështira”, tha ai.

Së shpejti, theksoi Lekaj, “do arrijnë nga Kina 200 000 maska mbrojtëse për heronjtë tanë (doktorët) që po luftojnë me armikun e padukshëm në vijën e parë të luftës”, u shpreh ai.

“Për Shqipërinë që duam duhet që të gjithë bashkë të bëjmë aq sa është e mundur. Të qëndroni sa më shumë në shtëpi është një ndihmë shumë e madhe në këto ditë”, u shpreh ai.

/gj.mima/r.e/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.