Procedura të lehtësuara për pacientët që trajtohen me barna të rimbursueshme

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Në kuadër të situatës së krijuar prej COVID-19, ministria e Shëndetësisë ka hartuar një udhëzues mbi lehtësimin e procedurave për pacientët që trajtohen me barna me rimbursim pranë farmacisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Shërbimi mjekësor universitar realizon konsultë online me pacientin që trajtohet me barna me rimbursim, të cilat tregtohen në farmacitë e QSUT. Konsulta realizohet nëpërmjet Telemjeksisë apo çdo komunikim telefonik elektronik si: Skype, WhatsApp, Viber etj’

Nga ana e tij, mjeku specialist i shërbimit universitar do të gjenerojë recetën me rimbursim në sistemin eRx dhe kodet e recetës elektronike do t’i dërgohen farmacisë.

Pacientët që trajtohen me këto barna do të jenë nën kujdesin e mjekut specialist rajonal/bashkiak për çdo shfaqje të efekteve anësore që mund të vërehen dhe në kontakt të vazhdueshëm apo edhe monitorim nga mjeku i përgjithshëm dhe i familjes.

Farmacia spitalore përgatit barnat me rimbursim sipas recetave të printuara nga sistemi eRx sipas rajoneve përkatëse për operatorin e shpërndarësit farmaceutik.

Operatori shpërndarës farmaceutik realizon tërheqjen e barit apo barnave me rimbursim sipas rajoneve.

Ndërkaq, operatori shpërndarës farmaceutik siguron shpërndarjen dhe dorëzimin e barnave për kategoritë e pacientëve të vetmuar, mbi 65 vjeç z.tosku/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.