Operacionet humanitare/ Ndreu për ATSH-në: Kemi shpërndarë 2100 pako ushqimore në Lezhë

 

TIRANË, 30 mars/ATSH-Maela Marini/ Në bashkinë e Lezhës po vijojnë operacionet humanitare në ndihmë të pensionistëve të vetmuar dhe familjeve në nevojë, ku deri tani janë shpërndarë 2100 pako ushqimore.

Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u shpreh se deri tani janë ndihmuar me pako ushqimore 2100 familje, ndërkohë që po vazhdon shpërndarja e ndihmave te kategoritë në nevojë dhe pensionistët e vetmuar.

“Pensionistet po asistohen sipas listave nga administrata e bashkisë si dhe nga një rrjet vullnetarësh që është ngritur për t’u ardhur në ndihmë”, tha Ndreu për ATSH-në.

Pas masave të vendosura së fundi ku të gjithë pensionistëve u ndalohet dalja nga shtëpia, Ndreu tha se “jemi në diskutim me një supermarket në Lezhë që do të sigurojë shpërndarjen e ushqimeve për pensionistët”.

Ai falënderoi po ashtu biznese të ndryshme në Lezhë që kanë dhënë ndihma për familjet në nevojë dhe pensionistët e vetmuar, të cilat deri tani shkojnë në rreth 800 pako.

“Bashkia Lezhë, institucionet e tjera, biznesi lezhjan, janë bashkë në këtë situatë”, tha Ndreu për ATSH-në.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.