Në misionin human drejt Italisë, infermieri Gjana: Vendimi personal dhe një gjest i mirë për popullin italian, nesër nisim punën në pavion

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Korab Gjana, pjesë e grupit prej 30 mjekësh dhe infermierësh që u nis dy ditë më parë në misionin human për të mbështetur kolegët në Itali, nga Brescia, tha se nesër herët në mëngjes niste punën në pavionin infektiv.

Gjana është 27 vjeç dhe ka mbaruar studimet për Infermieri në Tiranë dhe ka kryer Master Shkencor.

“Kemi shkuar dje dhe sot në spital, kemi komunikuar me stafin dhe që nesër fillojmë punë nga ora 07:00 deri në orën 15:00”, u shpreh Gjana në një intervistë në media.

Sipas Gjanës, gjatë qëndrimit në spital është diskutuar me shefin e personelit dhe varësisht eksperiencave janë ndarë në pavione. Ai u shpreh se ishte caktuar në pavionin infektiv.

I pyetur mbi situatën në spitalin e Brescias, Gjana tha se duket normale, një spital shumë i organizuar edhe pse shumë i madh, por pacientët marrin drejtimin dhe shërbimin e duhur.

Ai pranon se kur kishte pranuar ftesën ka patur frikë, por shprehet se të njëjtën frikë do ta ndjente edhe në Tiranë.

”Normale, që kisha frikë. Edhe në Tiranë do kisha frikë, por vendimi ishte shumë personal dhe mendova që do të ishte një gjest shumë i mirë për popullin italian”, shprehet ai.

Pavarësisht se japin ndihmë në këtë situatë të vështirë për Italinë, Gjana tha se pret të marrë edhe eksperiencë.

/a.gjonaj/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.