Ndihma nga 30 mjekë e infermierë shqiptarë, Rama: Italia është shtëpia jonë, nuk mund ta lëmë vetëm në një luftë kaq të ashpër


TIRANË, 30 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një lidhje telefonike me televizionin italian Sky24, se vendimi për të dërguar në Itali 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë erdhi natyrshëm, pasi të gjithë ne e besojmë se Italia është shtëpia jonë dhe ta shohim që lufton në një luftë kështu të ashpër dhe pastaj ta lëmë të vetmuar na bën shumë, shumë keq.

Rama tha se “edhe Shqipëria është sulmuar nga ky armik i padukshëm dhe po luftojmë me të”. “Kemi marrë masat e menjëhershme. Shpresoj se po na japin një ndihmë, megjithatë situata nuk është e lehtë”, tha Rama.

Lidhur me vendimin për të nisur 30 mjekë e infermierë shqiptarë në mbështetje të mjekëve italianë në këtë betejë kundër koronavirusit, Rama tha se “ne nuk do të ndërrojmë fatin e luftës me 30 mjekë dhe infermierë, por ishte diçka e natyrshme që bëmë, sepse jemi duke luftuar këtu, por të luftosh në Itali është sikur të luftonim megjithatë në shtëpinë tonë”.

I pyetur nëse kjo është një mënyrë shpagimi pasi Italia ka pritur shumë shqiptarë që punojnë e jetojnë atje, Rama tha se “fjala shpagim nuk është fjala e duhur, pasi ne nuk mund të shpagojmë kurrë atë që Italia dhe italianët kanë bërë për ne në kohë të errëta”.

“Nuk është shpagim, por thjesht të bëjmë detyrën tonë si pjesëtarët e një familjeje që është e jona, e kur them familja jonë mendoj tek familjet italiane ku shumë shqiptare e shumë shqiptarë janë pjesë e integruar. Dhe nga ana tjetër besoj se kjo nuk është një luftë, nuk mund të luftohet duke u mbyllur në llogoren e secilit me kurrizin e kthyer nga njëri-tjetri, sepse kështu do e humbasim”, tha Rama.

Ai theksoi se “armiku i padukshëm na ka sulmuar të gjithëve në të njëjtin moment, ndaj duhet që jo vetëm të mbrohemi, por edhe të kundërsulmojmë”.

“Kjo është diçka që mbi të gjitha Europa duhet ta bëjë, sepse nuk mundet edhe pse Italia është vendi ”i lidhur” nuk mund ta fitojë këtë luftë duke ndenjur vetëm në mbrojtje.
Italia po lufton, por duhet të luftojmë të gjithë bashkë, dhe atje ka një situatë të paparë që s’mund t’ia lëmë vetëm Italisë ta menaxhojë sepse është iluzion të mendosh që ai zjarr do të djegë vetëm Italinë”, shtoi Rama.

Rama tha se ka folur “me të gjithë nga qeveria italiane dhe morëm këtë iniciativë me mikun tim Luigi Di Maio, ministrin tuaj të shkëlqyer të Jashtëm”.

“I tregova këtë ide dhe ai ishte shumë recidiv dhe pastaj kemi pasur një përgjigje të shpejtë nga të gjithë mjekët dhe infermierët sepse në fillim nuk dinim as reagimin e tyre, bile disa prej tyre nuk u treguan as prindërve nga frika për të mos i demoralizuar të niseshin. Ma thanë në aeroport, do u themi prindërve kur të jemi në Itali”, tha Rama.

Ai shtoi se “vjen çdo gjë natyralisht, pasi ne kemi problemet tona”. “Ne kemi sigurisht një sistem sanitar më pak të shkëlqyer se Lombardia, dhe duke parë Lombardinë që vuan është rreziku që të kesh popullin kundër, por përveç ndonjë zëri të pavlefshëm, të gjithë, por të gjithë ama, kanë qenë mëse të lumtur që të ndihmojnë”.

“Nuk gjej fjalë, por është fakt që ajo pjesë në anën tjetër të Adriatikut është pjesë e zemrës sonë. Sinqerisht, Italia është pjesë e botës sonë, është shtëpia jonë. Duke folur për sulmuesit, ajo që duhet të bëjë Europa është të imitojë ‘Milanin’ e Sakit. Nuk mund të rrijë tërë kohën në mbrojtje, është e nevojshme të jemi të gjithë një skuadër, ku yjet nuk bëjnë sipas mënyrës së tyre dhe ku të gjithë duhet të mbrojnë e sulmojnë, përndryshe nuk mund të shkosh asgjëkundi”, tha Rama.

Pyetjes nëse kështu po luan Europa këto ditë, Rama iu përgjigj se “kështu po luan”. “Të gjithë po luajnë në mbrojtje të fortë, por kështu nuk shkohet asgjëkundi, sepse nuk është problemi që të luftojmë vetëm virusin në trupin e të infektuarve, problem është të luftojmë atë që po sjell virusi, domethënë, ai po sjell një situatë ekonomike që nuk mund të përmbahet, që nuk mund të mbështetet vetëm nga bonuset dhe nga ndihmat e shtetit”, tha Rama.

Ai tha se “duhet të ulemi të gjithë në një tryezë dhe të imagjinojmë një kundërsulm dhe të dalim nga ky rreth vicioz”. “Nuk mund të rrimë te zona e rreptësisë, te 16-ta dhe të presim tërë kohës aty, pa e kaluar as zonën e mbrojtjes. Është e pamundur”.

“Para se të flisja me ju, mora një mesazh të bukur nga kryeministri juaj. Kam marrë shumë mesazhe sot. A e prisja? Ndoshta jo, ndoshta jo, por ndoshta erdhi edhe në çastin kur kemi këtë vuajtjen e vetmisë, kjo vuajtje që nuk mund t’ia dalim të vetëm, është edhe vuajtja jo vetëm nga indiferenca, por edhe nga njëfarë cinizmi në nivelin e bashkëpunimit shumëkombësh, në nivel europian dhe botëror dhe ndoshta kjo nxiti edhe këtë zinxhir mallëngjimi. Por, nuk është nevoja për falënderime. Ne bëmë atë që duhej të bënim. Nëse nuk do ta bënim, do të ishte turp për ne”, tha Rama.

Kryeministri tha se “jemi të gjithë në të njëjtën varkë dhe nuk ka ju apo ne në këtë luftë”. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.