Misioni humanitar në Itali/ Meta: Demonstrim solidariteti i popullit dhe institucioneve shqiptare për popullin italian

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta e cilësoi sot misionin humanitar prej 30 mjekësh dhe infermierësh që Shqipëria dërgoi në Itali si, “një demonstrim solidariteti i popullit shqiptar dhe i institucioneve shqiptare për Italinë dhe për popullin italian”.

Në një intervistë për televizionin italian “RAI News 24”, Meta u shpreh se, “nuk është një gjest i thjeshtë solidariteti, por është një demonstrim mirënjohjeje gjithashtu, që populli shqiptar ka për çdo gjë që Italia dhe populli italian kanë bërë historikisht, duke na ndihmuar në momentet më të vështira të vendit, të kombit tonë dhe të popullit tonë”.

“Është një marrëdhënie historike që daton prej shekujsh, qyshkur shumë arbëreshë u detyruan të largohen nga Shqipëria për shkak të Perandorisë Otomane dhe u mirëpritën në Itali”, tha Meta.

I pyetur se sa e rëndësishme është bashkëpunimi midis të gjitha vendeve për të luftuar koronavirusin, Presidenti Meta u shpreh se, “është një sfidë e përbashkët, sepse është një kërcënim i përbashkët për vendet tona, për njerëzit tanë, në veçanti për marrëdhëniet midis popullit italian dhe atij shqiptar, që është shumë e fortë, duke marrë në konsideratë, jo vetëm të gjithë komunitetin shqiptar, e kam fjalën për atë arbëresh, që jeton në Itali, por edhe për komunitetin e ri të shqiptarëve të cilët erdhën në Itali gjatë tri dekadave të fundit”.

“Gjithashtu, duke patur në konsideratë edhe komunitetin italian këtu në Shqipëri, që po rritet vit pas viti. Në këtë drejtim, Italia do të paguajë një çmim vërtetë të lartë dhe është shumë e rëndësishme, që Italia t’ia dalë mbanë sa më shpejt të jetë e mundur dhe kjo është një betejë e përbashkët për të gjithë ne”, theksoi Meta.

Ky, shtoi Meta, “është gjithashtu mesazhi kryesor i këtij ekipi prej 30 mjekësh dhe infermierësh, që janë dërguar në zonën më të prekur nga pandemia në veri të Italisë për të kontribuar sa të mundemi në mënyrë që të japim këtë mesazh të fortë solidariteti, por gjithashtu për të shkëmbyer eksperienca të reja në këtë betejë me një armik, që ende nuk e njohim”.

/gj.mima/r.e/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.