Komuna Mitrovicë/ Bahtiri: Asnjë rast me COVID-19

PRISHTINE, 30 mars /ATSH/ -Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot priti në takim ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi, e shoqëruar nga zv.ministri Reshat Nurboja dhe bashkëpunëtorë tjerë, në këtë takim diskutuan lidhur me gjendjen aktuale dhe zbatimin e masave preventive të virusit COVID-19 në Komunën e Mitrovicës.

Fillimisht Bahtiri, njoftoi të pranishmit se deri më tani nuk ka asnjë person të dyshuar dhe të konfirmuar me virusin COVID-19 në Mitrovicë, dhe se Komuna e Mitrovicës ka të formuar shtabin emergjent përmes të cilit ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e këtij virusi.

Gjithashtu Bahtiri përmendi se si institucion lokal kanë bërë dezinfektimin e të gjitha institucioneve, ndërmarrjeve dhe hapësirave publike, të objekteve kolektive, pastrimin dhe larjen e rrugëve çdo ditë, si dhe zbatimin e të gjitha masave tjera në bazë të udhëzimeve dhe rekomandimeve të Qeverisë së Kosovës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ndërsa ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi, përgëzoi Komunën e Mitrovicës për masat e ndërmarra si dhe realizimin me përpikëri të vendimeve dhe rekomandimeve të Qeverisë së Kosovë për parandalimin e pandemisë COVID-19./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.