ITALI – “Secolo d’Italia”: Europa të marrë shembullin e Shqipërisë së vogël

ROMË, 30 mars /ATSH/ – Nuk jemi pa kujtesë. Ne nuk mund të mos i tregojmë Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk braktisin kurrë një mik në nevojë. Sot ne jemi të gjithë italianë, dhe Italia duhet të fitojë dhe kjo luftë do të fitohet gjithashtu për ne, theksoi kryeministri shqiptar, Edi Rama, duke përshëndetur një ekip prej 30 mjekësh dhe infermierësh shqiptarë që u nisen për në Itali në ndihmë të kolegëve të angazhuar në luftën kundër koronavirusit në Lombardi në aeroportin e Tiranës, sipas gazetës italiane “Secolo d’Italia”.

“Ju trima, anëtarë të këtij misioni për jetën, po largoheni për një luftë që është edhe e jona”, shtoi ai, duke iu drejtuar ekipit shëndetësor.

“Tridhjetë mjekë dhe infermierë të vendit tone po nisen për në Itali. Ata nuk janë të shumtë dhe nuk do të zgjidhin betejën mes armikut të padukshëm dhe bluzave të bardha që po luftojnë në anën tjetër të detit. Por Italia është shtëpia jonë pasi vëllezërit dhe motrat tona na shpëtuan në të kaluarën, duke na pritur dhe duke na birësuar ndërsa ne vuanim këtu ”, shtoi Rama në një përshëndetje të shkurtër ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

“Ne po luftojmë të njëjtin armik të padukshëm. Burimet njerëzore dhe logjistike nuk janë të pakufizuara, por ne nuk mund t’i mbajmë ato në rezervë ndërsa në Itali tani ka një nevojë të madhe për ndihmë”, shtoi Rama.

“Është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre dhe vendet shumë të pasura u kanë kthyer shpinën të tjerëve. Por, ndoshta kjo ndodh sepse ne nuk jemi të pasur dhe pa kujtesë, nuk mund të lejojmë të mos i tregojmë Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk e braktisin atë”, nënvizoi Rama./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.