FOTO/ 102 pako ushqimore vetëm sot në Belsh, prefekti i Elbasanit për ATSH-në: Janë hartuar listat në të 7 bashkitë

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Bashkia e Belshit ka shpërndarë sot 102 pako ushqimore në kuadër të operacionit humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë, të moshuarve dhe pensionistëve të vetmuar.

Lajmi u bë i ditur nga Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj i cili theksoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se në qarkun e Elbasanit deri tani janë shpërndarë 6677 pako me ndihma ushqimore.

“Deri tani në qarkun e Elbasanit janë shpërndarë 6677 pako me ndihma ushqimore dhe 436 me ilaçe pranë të moshuarve dhe pensionistëvë të vetmuar. Të shtatë bashkitë e qarkut, kanë hartuar listat me emrat e familjeve në vështirësi ekonomike si dhe pensionistëve dhe të moshuarve të vetmuar. Jemi pranë çdo familjeje që ka nevojë, duke  i ofruar atyre qoftë ndihma me ushqime apo ilaçe. Jemi pranë familjeve në nevojë, ne këtë situatë të vështirë nëpër të cilin po kalon edhe vendi ynë”, -theksoi Malaj.

Po ashtu, sipas Malajt, janë dërguar ilaçe me pagesë pranë banesave të 129 pensionistëve të cilëve iu kanë ardhur në ndihmë punonjësit e bashkive, për të blerë medikamentet duke mos lejuar në këtë mënyrë edhe daljen e tyre prej banesave.

Ndihmat me ushqime dhe ilaçe janë pjesë e paketës së solidariterit në kuadër të situatës së krijuar në Shqipëri prej COVID-19, ku janë marrë masat që qytetarëve t’iu kufizohet levizja e tyre, me qëllim që të mos preken nga infeksioni. Në ndihmë për familjet në nevojë dhe pensionistët e të moshuarit e vetmuar janë vënë në dispozicion jo vetëm ndihma ushqimore nga rezervat e shtetit por edhe fondi i emergjencës së bashkive në bashkëpunim me organizata e shoqata bamirëse.

“7 personave me aftësi të kufizuara në Belsh u është dërguar pensioni në shtëpi. 1 pensionisti u është mundësuar blerja dhe dërgimi i ilaçeve me pagesë në banesë. Në 12 familjeve në Belsh iu dërguan pranë banesave të tyre ilaçe të rimbursueshme”, tha Malaj.

 

z.tosku/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.