COVID-19/ Manastirliu: Brenda muajit prill shtohen edhe 104 respiratorë të rinj, gati të kryejmë testimet e nevojshme në rang kombëtar

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se brenda muajit prill pritet të futen në sitemin spitalor edhe 104 respiratorë të rinj.

“Spitali Infektiv ka aktualisht 17 respirator137, nga të cilët vetëm 4 pacientë janë të intubuar, nga 7 pacientë që ndodhen në terapi intensive. Spitali “Shefqet Ndroqi” ka kapacitetet e tij dhe ne jemi në pritje të 54 respiratorëve të kontraktuar tashmë, një pjesë e të cilëve mbërrijnë javën e parë të prillit, ndërsa pjesa tjetër më pas. Brenda muajit prill jemi duke punuar që të kemi edhe 50 respiratorë të tjerë”, deklaroi ministrja Manastirliu në një intervistë në media.

Ministrja siguroi që nuk kemi problem me importin e respiratorëve, pasi janë korridoret e lira për transportin e pajisjeve mjekësore.

Lidhur me numrin e tamponeve në dispozicion, ministrja tha se presim të kemi 10 mijë tamponë në kuadër të marrëveshjes me OBSH-në.

Ministrja siguroi edhe sa i takon cilësisë së kiteve. ”Ne po punojmë me një laborator të certifikuar që është laboratori shtetëror i Instituti të Shëndetit Publik, i cili ka certifikatën e biosigurisë për trajtimin dhe gjithashtu jemi duke hapur laboratorin e dytë në QSUT, ku do të realizohen qoftë analizat me PCR, apo cerelogjike për identifikimin e këtij virusi. Shumë shpejt duam të kemi edhe një spital tjetër publik, që është “Shefqet Ndroqi”, që do të ketë edhe ai një laborator të vetin për diagnostikimin e ndjekjen e pacientëve me COVID-19”, tha Manastirliu.

Çështja e testimit, vijoi ministrja, nuk është vetëm një debat në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, por ne jemi fokusuar të zbatojmë rekomandimet e OBSH-së.

Sipas saj, janë kryer mbi 1500 testime. Ne, tha Manastirliu, jemi të gatshëm që sipas strategjisë së testimit që miratohet nga një ekip ekspertësh të kryejmë testimet e nevojshme në rang kombëtar.

“Logjika e testimi nuk është thjeshtë të identifikohesh nëse ke prezencë të virusit apo jo, por ti të identifikosh e hulumtosh rrethin e afërt, kush mund të jetë prekur dhe të izolosh. Vetëm kështu ky virus  mund të kufizohet”, bëri të ditur Manastirliu.

Ministrja po ashtu vuri në dukje se janë marrë masat e nevojshme për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë në luftë kundër COVID-19.

“Qeveria ka vendosur në dispozicion një fond prej 2.5 miliardë lekësh për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë në luftë kundër COVID-19. Nuk ka asnjë problematikë sa i përket financave dhe nuk do të ketë asnjë problematikë në raport me nevojën që paraqet çdo punonjës shëndetësie.

Ministrja theksoi se ne i kemi të qartë hapat që do të ndërmerren në mënyrë që qytetarëve të mos u mungojë shërbimi, ndërsa ripërsëriti apelin ndaj tyre të zbatojmë masat anti COVID.

“Është e vetmja rrugë të ndalojnë përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm”, tha ajo.

Ajo tha se nuk mund të flitet me siguri për pikun, por siguroi se janë gati të gjithë skenarët.

“Sot nuk mund të flasim me siguri për pikun, me ekipin e ekspertëve të ngritur në ministrinë e Shëndetësisë, ne kemi bërë të gjithë skenarët, por modelet tregojnë se nuk ka ato që mund të jenë 100% të sakta. Prandaj kemi marrë masa të forta për të zbuluar kurbën. Ne po synojmë shtrirjen në kohë, pasi në të kundërt do të ishte fatale për sistemin shëndetësor”, tha ministrja.

Ajo shpjegoi edhe kapacitetet e dy spitaleve, Infektivit dhe atij “Shefqet Ndroqi”.

“Ne sot kemi vendosur në dispozicion dy spitale, Infektivi me 120 krevatë, 76 janë të shtruar. Kemi hapur edhe spitalin e dytë me 190 krevatë te Sanatoriumi, por kemi pasur vetëm një rast urgjent kirurgjie. Në skenarin tjetër, është spitali Kirurgjia e vjetër në QSUT, që është bërë gati për të pritur raste, por edhe spitali i katërt karantinë, që edhe ai do t’i përgjigjet me rreth 100 shtretër, por jo me parametrat e “Infektivit” apo “Shefqet Ndroqit””, tha Manastirliu. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.