COVID-19/ Durrës, bashkia tre numra në dispozicion për qytetarët që kanë nevojë për ndihmë

TIRANË, 30 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Bashkia e Durrësit ka vendosur në dispozicion të qytetarëve tre numra telefoni, në rast se i nevojitet ndihmë apo ndonjë shërbim.

Milva Ekonomi, deputete e Partisë Socialiste, ka njoftuar se të tre numrat janë të disponueshëm nga e hëna në të diel, në oraret 08:00-13:00.

“Bashkia e Durrësit ka vënë në dispozicion numra telefoni për ndihmë ndaj qytetarëve, të cilët mund të kenë nevojë për ndihmë, shërbim apo kanë shqetësime nga COVID-19”,- thekson Ekonomi.

“Çdo qytetar që ka nevojë për ndihmë apo shqetësim lidhur me situatën nga COVID-19 mund të telefonojë nga ora 08:00-13:00 nga e hëna në të diel, në numrat e mëposhtëm të telefonit: 0694114040, 0694114101, 0694114100″,- përfundon Ekonomi.

Numrat e telefonit të publikuar nga Bashkia e Durrësit vijnë në kuadër të masave të vendosura nga qeveria për minimizimin e përhapjes së COVID 19. Ndër masat e marra nga Qeveria është dhe lëvizja e kufizuar në oraret e përcaktuara dhe me autorizim për një nga familjarë.

Sipas vendimit të qeverisë, nga sot, në fashon e orarit të lejuar për të lëvizur nga banesa 05:00-13:00 do të mund të dalë nga banesa vetëm një person i familjes për të kryer blerjet e ushqimeve apo të tjera shërbime të nevojshme dhe ky pjesëtar duhet të marrë autorizimin e daljes përmes portalit E-Albania ose përmes SMS-së në numrin 55 1 55, dhe autorizmi vlenë vetëm një orë. Ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa. Për personat që janë në punë lëvizja vijon me autorizimet ekzistuese.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.