“Corriere della Sera” shkruan për mjeken shqiptare, Gjylameti: Ornela, shembull i çmuar

TIRANË, 30 mars /ATSH – I. Vata/ Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti përcolli sot një lajm të prestigjiozes “Corriere della Sera” kushtuar mjekes nga Shqipëria që bashkë me kolegët e saj shërbejnë për trajtimin e pacientëve italianë të prekur nga COVID-19.

“Shembull i çmuar angazhimi i grave në luftën ndaj koronavirusit në Itali dhe në veçanti solidariteti ndërmjet shtetaseve të ndryshme që puna i ka lidhur fort në bashkëpunimin për të qenë në krye si një energji e përbashkët”, shprehet ajo.

Po ashtu Gjylameti përcjell artikullin e “Corriere della Sera”, që shkruan për katër mjeket, mes tyre dhe mjekja shqiptare.

“Maska ju pengon ta shihni, por nën pjesën e përparme ka një buzëqeshje, sepse pacientët kurohen nga energjia pozitive. Ato mbajnë në duar në shenjë simbolike disa pankarta që kujton origjinën e tyre: Bea, një infermiere nga Kolumbia, Ornela nga Shqipëria, Iolanda, nga Afrika, dhe Kiara, nga Italia. Së bashku ata janë një ekip i palodhshëm, i vendosur në dhomën e urgjencës, ku vijnë dhjetëra ambulanca çdo ditë”, – shkruan “Corriere della Sera”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.