Bosnjë-Hercegovina rregullon qëndrimin e shtetasve të huaj, përfitojnë shqiptarët

TIRANË, 30 mars /ATSH – I. Vata/- Ambasada Shqiptare ne Kroaci njofton se Bosnje Hercegovina, me anë të një vendimi, ka rregulluar qëndrimin e shtetasve të huaj, të cilët për arsye të situatës të krijuar prej pandemisë së koronavirusit COVID-19 dhe masave të miratuara kohët e fundit nga të gjitha nivelet e autoriteteve shtetërore në BiH, nuk mund të largohen nga territori i Bosnje Hercegovinës, në kohën e duhur.

“Nga ky vendim përfitojnë edhe shtetasit shqiptarë që ndodhen aktualisht në Bosnje Hercegovinë. Sa më sipër, të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen aktualisht në Bosnje Hercegovinë duhet të kontaktojnë qendrat kompetente në terren të Zyrës për Çështjet e të Huajve sipas vendbanimit të tyre aktual në BiH, në mënyrë që ata të mund të rregullojnë vendbanimin dhe statusin e tyre të mëtejshëm në Bosnjë Hercegovinë”, shprehet ambasada.

Po ashtu Ambasada Shqiptare ne Kroaci shton se një njoftim për të shpjeguar se si mund të kontaktojnë qendrat në terren dhe të fillojnë procedurat e duhura është botuar në faqen zyrtare www.sps.gov.ba

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.