Beteja ndaj COVID 19/ “Siguria” miraton masat shtrënguese dhe lirimin e përkohshëm të të dënuarve

TIRANË, 30 mars/ATSH-A. Fortuzi/-Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot aktin normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” dhe aktin normativ “ Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, bazuar në nenet 32-36 të Rregullores së Kuvendit, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi në mbledhjen e realizuar nëpërmjet sistemit online Cisco Webex, në parim, nen për nen dhe në tërësi, aktin normativ nr “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” dhe aktin normativ “ Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”.

Të dyja këto akte normative të propozuara nga Këshilli i Ministrave, vijnë në një moment kur Organizata Botërore për Shëndetësinë ka shpallur pandeminë botërore për përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, dhe në këtë situatë, kontrolli i sëmundjeve infektive dhe i përhapjes së tyre është një nga shtyllat kryesore në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës.

Relatorja e aktit normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” znj.Elona Hoxha u shpreh se Shqipëria ka bërë progres në kontrollin e sëmundshmërisë infektive megjithatë situata e krijuar dhe masat e vazhdueshme që po ndërmerren nga Qeveria diktojnë nevojën për një ndryshim të menjëhershëm në ligjin nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, në kushte kur edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë botërore për përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Hoxha vuri theksin tek risitë e këtij akti normativ sic janë, përfshirja në masat e veçanta, që ndërmerren për parandalimin e sëmundjeve infektive, edhe e vetëkarantinimit, si një masë e veçantë dhe shumë e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik, krahas masës së izolimit dhe karantinës. Angazhimi i Forcave të Armatosura, me vendim të Këshillit të Ministrave, krahas Policisë së Shtetit, në rast të një epidemie, fatkeqësie natyrore apo aksidenti të rëndë, të cilat mund të favorizojnë shpërthime epidemike, në mënyrë që të ndërmerren masa sa më efektive për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe të sëmundjeve infektive.

Në vijim relatori i aktit aktitnormativ “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”, Xhemal Qefalia në fjalën e tij u shpreh në një moment të një situatë të jashtëzakonshme është e nevojshme që të merren masa të jashtëzakonshme me qëllim garantimin e kushteve të përshtatshme për parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri, nëpërmjet uljes së numrit të të burgosurve në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale.

Në këtë kuadër, një nga masat e parashikuara është edhe parashikimi i një lejeje të veçantë për të burgosurit nëpërmjet vendosjes së tyre në qëndrim të përkohshëm në shtëpi me qëllim që të ulet numri i të dënuarve në burgje për të krijuar kushtet për zbatimin e masave të posaçme që parandalojnë përhapjen e sëmundjes edhe në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale.

Përmes kësaj mase shprehet vullneti i Këshillit të Ministrave për të garantuar vetëkarantinimin më të mirë, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të dënuarve.

Në përfundim të diskutimeve komisioni miratoi aktet normative ne fjale, me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.