Mësimi nga shtëpia/ Shahini: Shërbim psiko-social në dispozicion të nxënësve, mësuesve dhe prindërve


TIRANË, 29 mars/ATSH/Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, përmes komunikimit të radhës me video-mesazh, ka njoftuar vendosjen në dispozicion të shërbimit psiko-social për nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

“Nesër fillojmë javën e katërt të mësimit nga shtëpia. Kuptojmë që kjo është një situatë e pazakontë. Ndaj, nxënësit, por edhe mësuesit e prindërit e tyre mund të kenë nevojë për një mbështetje shtesë në këtë periudhë. Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, së bashku me Urdhrin e Psikologut, kanë organizuar të gjithë shërbimin psiko-social shkollor dhe e kanë vendosur në dispozicion të nxënësve, apo edhe prindërve dhe mësuesve të tyre”,-thotë ajo.

Po ashtu, ministrja ka publikuar edhe 4 linke ku nxënësit, mësuesit apo prindi mund të shkruajë apo kontaktojë direkt me një psikolog apo punonjës social.

“Mund të keni shqetësime specifike apo edhe thjesht pyetje të përgjithshme për mënyrën më të mirë për ta menaxhuar situatën në të cilën gjendemi. Pra, mos hezitoni të shkruani! Nëse keni pyetje shtesë, mund të kontaktoni edhe përmes websajtit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar”,- tha Shahini.

z.tosku. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.