Të prekurit nga tërmeti/ Rama: Nuk do t’i lë në mëshirën e fatit ata që presin të hyjnë në shtëpitë e reja

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas, se qeveria nuk do t’i lërë në mëshirë të fatit, pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19.

“Kur ra tërmet e patë që ju dola për zot dhe nuk ja lashë Zotit të bëjë asnjë nga detyrat që më takojnë mua. Nuk do t’i lë në mëshirën e fatit ata që presin të hyjnë në shtëpitë e reja e që po vuajnë më shumë se të gjithë, sepse janë nëpër çadra, pa ujë e drita”, deklaroi Rama.

Kryeministri, po ashtu bëri të ditur se këto familje ashtu sikurse ato pa të ardhura dhe pensionistët e vetmuar, po ndihmohen përmes operacionit humanitar që po zbatohet në të gjithë vendin.

“Ata janë të duruar e falenderues edhe kur e marrin qesen (me ushqime dhe medikamente) që shumëkush nga ju tallet e na tregon se janë shou dhe propagandë”, tha Rama.

Rama tha se do të bënte gjithçka që ishte në fuqitë e tij që kjo luftë të mbarojë pa qindra e mijëra viktima të mosdëgjimit e mos bindjes me çdo mjet të mundshëm dhe të imagjinueshëm.
/a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.