SHBA – De Blasio: Kriza e koronavirusit mund të zgjasë deri në muajin maj

NJU JORK, 28 mars /ATSH-AA/ – Duke kundërshtuar fjalët e presidentit Donald Trump për zhbllokimin e SHBA-ve deri në festën e Pashkëve të krishtere, kryebashkiaku i New York City, Bill de Blasio, ka deklaruar se ndikimi i pandemisë së koronavirusit në SHBA mund të zgjasë deri në muajin maj.

“Mendojmë se kjo krizë do të rritet nga prilli në maj. Dhe kemi nevojë që presidenti dhe i gjithë Uashingtoni ta kuptojnë se ky është një realitet”, tha de Blasio në një program në ABC.

Duke theksuar se një ventilator do të thotë “dikush jeton ose vdes”, kreu i bashkisë së Nju Jorkut tha se presidenti Trump nuk i shikon faktet e rritjes astronomike të krizës kur thotë se Nju Jorkut nuk i duhen 30 mijë ventilatorë.

“Tani mund t’ju them se kemi furnizime të mjaftueshme për të kaluar këtë javë dhe javën tjetër në spitalet tona. Kjo është gjithçka që mund të garantoj”, theksoi de Blasio.

Kryebashkiaku tha se aktualisht në Nju Jork ka rreth 2.500 ventilatorë dhe shtoi se këtij qyteti i nevojiten edhe 15 mijë të tjerë, ndërsa gjithë shtetit i nevojiten 30 mijë.

“Kështu që kemi diçka dhe jam mirënjohës për këtë. Por duhet të vazhdojnë të vijnë”, u shpreh de Blasio.

Ai pretendoi se më shumë se gjysma e njerëzve në qytetin e Nju Jorkut do të infektohet nga sëmundja.

De Blasio theksoi se 80 % e njerëzve do ta kapërcejnë brenda shtatë deri në dhjetë ditë me pak ndikim me një lloj të ftohti dhe dinamike të gripit, megjithatë 20 % e njerëzve, tha ai, “do ta kalojnë më ashpër dhe me fatalitete”. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.