Mjeku Kalo: Qëndroni në shtëpi edhe pse me vështirësi ekonomike, jeta është më e vlefshme

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Mjeku i njohur pranë shërbimit infektiv në Qendrën Spitalorë Universitare “Nënë Tereza”, Tritan Kalo ka përsëritur edhe një herë thirrjen drejtuar shqiptarëve për të qëndruar në shtëpi.

Ai iu ka kujtuar qytetarëve që ndonëse mund të ndodhen në kushte të vështira ekonomike, gjëja më e rëndësishme në këto momente është shëndeti. Andaj, ai ka bërë apel për të qëndruar të gjithë në banesa, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19.

“Kurdoherë me ju dhe për ju… Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, QSUT, 28.03.2020… Bashkëqytetarë, ju lutem, ju lutem vejani veshin këshillave tona… mos dilni në asnjë mënyrë nga shtëpitë tuaja pa ndonjë arsye madhore për shëndetin… E dimë që shumë prej jush janë në vështirësi ekonomike, por jeta e juaj është më e vlefshme se gjithçka… kjo ëndërr e keqe me emrin COVID-19 një ditë do të kalojë, por jetët tuaja të paçmimta askush nuk mundet t’ua rikthejë… Dita nis për së mbari me dy infermierët e turnit në pavijonin e parë, Anxhela dhe Mandi, të dy plot dëshirë dhe vullnet për t’ju shërbyer të sëmurëve tanë… kurrë nuk mundet të harrohet në këto ditë edhe kontributi i Policisë së Shtetit, të cilët po sakrifikojnë jo pak për të ruajtur rendin rreth ngrehinës së Covid-19, sikundër konvencionalisht njihet tashmë, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive… Së bashku ne do t’ia dalim mbanë me siguri, ndaj ju lutem, na dëgjoni dhe mbi të gjitha mos nguroni të dëgjoni zërin e Ndërgjegjes suaj… Vetëndërgjegjësohuni”, – u shpreh Kalo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.