Lë spitalin një tjetër pacient me COVID-19: Luftë e fortë, pa kujdesin e mjekëve nuk do ia kisha dalë mbanë

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Edhe një tjetër pacient ka dalë sot i shëruar nga spitali Infektiv.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ka falenderuar ekipin mjekësor për sakrificën e tyre.

”Mirënjohëse deri në përunjësi për punën dhe sakrificën e pashoqe të prof. Najada Çomos dhe të gjithë ekipit të mjekëve, infermierëve, imazheristëve, sanitareve që po luftojnë me armikun e padukshëm COVID-19 në shërbim të pacientëve”, – u shpreh Manastirliu.

“Jam Vladimiri. Pas 20 ditësh po largohem nga spitali i shëruar plotësisht. Falenderoj jashtë mase stafin mjekësor, profesoreshë Najadën, mjekët, infermierët që kanë bërë një shërbim madhështor ndaj meje, të gjithë sanitaret që vinin pastronin dhomat shumë shpesh. Sinqerisht, jam shumë i kënaqur nga përkujdesi që kanë treguar stafi i Infektivit dhe ma kanë bërë shumë të lehtë, sepse kjo ka qenë një luftë e fortë fizike, por edhe psikologjike. Pa këto, nuk do ja kisha dalë mbanë. Shumë faleminderit!” – thotë pacienti i shëruar që la spitalin ditën e sotme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.