COVID-19/ “Rezistencë për ekzistencë”- Rama: Shifrat e përditshme nuk dalin nga hiçi, por nga masat dhe rezistenca popullore

TIRANË, 28 mars/ATSH-Maela Marini/ “Shifrat e përditshme që nuk janë alarmante nuk dalin nga hiçi, por nga masat dhe rezistenca popullore në respektimin e masave dhe nëse deri tani nuk po përplasemi me një mur të vdekurish është pikërisht se po bëjmë gjënë e duhur”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur të gjithë atyre komentuesve që reagojnë ndaj masave të marra nga qeveria për frenimin e rasteve me COVID-19.

“Më ra mua të luaj rolin e babait që rreptësohet e të shkul veshin, por kur ndodh kjo do të thotë se ka diçka që nuk shkon me ne. Më ra për hise t’ua them dhe të bëj gjëra që nuk ka se si t’ju pëlqejnë. Por si mendoni ju, më pëlqejnë e më gëzojmë mua këto masa apo llogaritë për financat e shtetit, të shtëpisë sonë të madhe ku hyjnë përditë e më pak të ardhura?” – tha Rama.

Kryeministri tha se “përditë në arkën e shtetit bien të ardhurat dhe bien si në çdo shtëpi në këto kushte kur jemi sot”. “Mendoni se më pëlqejnë shifrat e papunësisë që rriten përditë, apo se më pëlqen t’ju mbyll juve në shtëpi, të mbyll shkolla e biznese me javë të tëra apo të merrem me lloj-lloj reagimesh instiktive të çdokujt që shkruan këtu sikur këtë luftë ua solla unë?” – iu drejtua Rama qytetarëve.

Rama iu përgjigj edhe të gjithë atyre që shprehen se i tremb apo i frikëson në vend që t’ju japë shpresë e gëzim, sepse u them papushim të ruhen dhe të mbrojnë veten dhe familjen nga kjo mortje që i ka rënë tërë planetit.

“Pse nuk e shihni ju çfarë po ndodh matanë detit në Itali, ku jetojnë e vuajnë më keq qindra mijëra shqiptarë, apo ku ushtria e plotfuqishme amerikane u katandis të nxjerrë autokolonat e trenave me makina të blinduara në kurriz për të mbajtur njerëzit brenda? Nuk e kuptoni ju se në këtë luftë botërore, ku Amerika humbi në një javë mbi 3 milionë vende pune, ne nuk kemi rrugë tjetër veçse të shpëtojmë jetën e familjarëve tanë duke bërë fiks këtë që po bëjmë?” – vijoi Rama.

Kryeministri tha se shqiptarët nuk mund të kërkojnë t’u tregojë përralla sot, dhe nesër të shikojmë se si të gjithë bashkë të përfundojmë në një gropë shumë më të thellë se viti i mallkuar ’97.

Rama tha se “sot iluzionet nuk zhgënjejnë, por mund të vrasin njerëz”.

Kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre që ironizojnë operacionet humanitare, ndërsa theksoi se “ky shtet dhe asnjë shtet në botë nuk garanton vazhdimin normal të jetës së askujt, por duhet të garantojë mbrojtjen e jetës së secilit në këtë luftë”.

Ai tha se “se nuk ka shtet në planet që u shkon dot të gjithë hallexhinjve në të njëjtën ditë me ato pako ushqimore në derë”.

“Çfarë do të thotë: ‘mos u tall me popullin’, kur shikoni operacionet e përditshme humanitare? Aty i keni shqiptarët në Itali, pyetini kush po i çon ndonjë qese derë më derë me ushqime? Kush po u derdh euro në bankë që të hanë e të pijnë dhe t’i shkruajnë kryeministrit në Facebook sharje e mallkime se nuk u jep euro të gjithëve? Pyetini dhe nëse Italia nuk ua mbush mendjen, pyesni shqiptarët në Angli, Francë, Amerikë se sa qese po marrin nëpër shtëpi nga shteti, sa euro apo dollarë u janë derdhur në konto dhe për sa muaj ua kanë falur paratë e dritave”, iu drejtua Rama komentuesve.

Kryeministri siguroi se “ne po bëjmë maksimumin brenda mundësive tona por të ishte vetëm dëshira dhe jo mundësitë do të kisha bërë shumë më tepër se sa po bëhet”.

“Punon në të zezë dhe do lekë se je pa punë, po si bëhet kjo nëse nuk do të denoncosh? Pyesni ata në Itali se çfarë përgjigje ka fuqia e 5 ekonomike e globit sot për ata që kërkojnë lekë nga shteti, sepse kanë punuar në të zezë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “shqiptarët nuk kanë vdekur kurrë nga uria, sepse kanë mbajtur njëri- tjetrin”. “Për cilat cilat qese me oriz, vaj e miell shani, mallkoni, kur ato luftojnë urinë në luftë. Ato nuk shkojnë te njerëzit për festa. Kjo është luftë e pashoqe, e para luftë në historinë e njerëzimit ku njerëzimi nuk e sulmon dot armikun, por vetëm duhet të mbrohet”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.