COVID-19/ Kufiri tokësor i hapur për shqiptarët të cilëve iu mbaron afati maksimal i qëndrimit në Greqi

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Ambasada shqiptare në Greqi, duke marrë parasysh situatën e rënduar për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19, dhe në vijim të shqetësimeve të ngritura lidhur me kthimin në Shqipëri të shtetasve shqiptarë të cilët ndodhen në Greqi në kuadrin e regjimit 90-ditor të qëndrimit në zonën Shengen, sqaron se aktualisht kufiri tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë (Kakavijë, Kapshticë, Qafë-Botë) është i hapur për qytetarët të cilëve u mbaron afati maksimal i qëndrimit 90-ditor në Greqi, ose për raste urgjente/shëndetësore dhe që duan të kthehen në Shqipëri.

Kalimi i kufirit lejohet vetëm për këmbësorët, duke u kujdesur që nga ana tjetër e kufirit t’i marrë një person/i afërm/i njohur, i cili duhet të ketë tërhequr paraprakisht nga Komisariati i Policisë në Shqipëri autorizimin për udhëtimin drejt kufirit. Aplikacioni për Autorizimin personal gjendet në linkun http://autorizime.asp.gov.al.

Për lëvizjen drejt pikës kufitare të Kakavijës mund të merret informacion në agjencinë e autobusëve Leoforo Kifisias 100, nr tel 0030215129363 ose 0030 210 5129365, për linjë udhëtimi deri në Janinë dhe nga aty për lëvizje deri në kufi.

Për të lëvizur brenda territorit grek, në kontekstin e masave të shpallura nga autoritetet greke për ndalimin e lëvizjeve jo të nevojshme, duhet të ndiqen udhëzimet që gjenden në linkun https://forma.gov.gr/.

Ambasada njofton se, pas kthimit në Shqipëri duhet të ndiqen udhëzimet e autoriteteve shqiptare dhe të qëndrohet në izolim për 14 ditë, për të evituar masa disiplinore; Mund të kërkohet shtyrje e qëndrimit 90-ditor në Komisariatin e Policisë ku kanë vendqëndrimin aktual, vetëm në rast të karantinimit për shkak të virusit Covid-19, ose të problemeve të rënda shëndetësore të vërtetuara me raport mjekësor nga mjeku që trajton sëmundjen.

“Për çdo sqarim të mëtejshëm ose nevojë emergjente, ju mund të kontaktoni në telefonin e emergjencës së Ambasadës i cili funksionon 24/7: +306941658183, ose të dërgoni e-mail në adresën elektronike: [email protected]”, thuhet në njoftimin e Ambasadës  shqiptare në Greqi. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.