COVID-19/ Çuçi: Në këto ditë të vështira të solidarizohemi me njerëzit në nevojë

 

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shprehet se në këto ditë të vështira përveçse duhet të respektojmë kufizimet e vendosura nga Qeveria për shkak të situatës së krijuar nga COCID-19, duhet patjetër edhe të tregojmë solidaritet me njerëzit në nevojë.

“Qëndrimi i tyre në karantinë bëhet më i lehtë nëse ne i ndihmojmë me ushqime apo medikamente. Bashkitë në të gjithë vendin po bëjnë një punë shumë të mirë në këtë drejtim. Megjithatë çdo ndihmë tjetër nga biznesi apo qytetarët e zakonshëm është e mirëpritur dhe shumë e çmueshme. Unë dhashë një kontribut për Shtëpinë “Vatra e Ngrohtë” në Gjirokastër, aty ku strehohen disa fëmijë jetimë. Ishin kryesisht ushqime, produkte të higjienës dhe medikamente të ndryshme, që iu dorëzuan sot kryebashkiakut dhe kryetares së këshillit të qarkut Gjirokastër”, – shprehet Çuçi.

Ministri falënderon drejtuesit e kësaj qendre për punën dhe përkujdesjen që tregojnë ndaj fëmijëve.

“Mbështetja për këtë strehë dhe fëmijët e saj nuk do të mungojë asnjëherë, jo vetëm nga unë personalisht, por as nga Qeveria, bashkia Gjirokastër dhe kushdo tjetër që beson se ndihma për njerëzit në nevojë nuk të varfëron”, – thotë Çuçi.

Ndërsa përsëris edhe një herë thirrjen për qytetarët të qëndrojnë brenda dhe të ndjekin këshillat e mjekëve sa i përket higjienës e distancimit social.

“Ne do ta fitojmë këtë luftë me armikun që as e shohim dhe as e prekim, por nëse ne dalim jashtë pragut të shtëpisë, atij i hapim derën dhe rrezikojmë jetën tonë e të familjarëve”, – shprehet ministri Çuçi. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.