COVID-19/ Cakaj në Romë për riatdhesimin e 120 shqiptarëve të bllokuar nga mbyllja e kufijve

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Pas një pune të shkëlqyer të strukturave të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrinë e Brendshme, ka nisur sot operacioni për riatdhesimin e shqiptarëve të bllokuar jashtë vendit, për shkak të situatës që krijoi pandemia e COVID-19, me mbylljen e kufijve.
Nëpërmjet “Lasgushit” të vënë në dispozicion për kryerjen e këtij operacioni, vetë ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj po udhëton drejt Romës, për të siguruar përmbylljen e të gjithë procedurave dhe për të siguruar sjelljen e 120 shqiptarëve drejt atdheut të tyre.
Operacioni do të vijojë gjatë gjithë javës duke bërë të mundur kthimin e shqiptarëve të mbetur në shtete të ndryshme, nëpërmjet rrugëve tokësore dhe ajrore.
Rikthimi i qytetarëve, sipas prononcimit të MEPJ, do të bëhet sipas tre kategorive në të cilat përfshihen: qytetarët shqiptarë që kanë qëndruar më shumë se 90 ditë në vendet ku ata janë bllokuar, studentët shqiptarë në vendet ku ata studiojnë dhe rastet humanitare. e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.