COVID-19/ Basha: Qeveria të veprojë më shpejt, i brengosur nga shtyrja në kohë e masave mbështetëse

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një lidhje për një nga mediet e vendit, deklaroi se qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme për t’iu ardhur në ndihmë punonjësve të fasonerive dhe call centerave me pagesa, duke kërkuar edhe njëherë mbylljen  e tyre në kuadër të frenimit të COVID-19.

“Duhet vepruar shpejt, menjëherë dhe me vendosmëri. Duhet një plan i mirëmenduar. Ne kemi bërë propozimin tonë. A mendoni ju se ka kapacitet Shqipëria të paguajë 30 milionë euro, 6 vetave për beton? Kjo është pyetja. Nëse ju mendoni se Shqipëria ka 30 milionë euro për t’ua dhënë këtyre 6 vetave për beton, vetëm këto 10 ditë, atëherë unë them që kjo është papërgjegjshmëri totale, sepse me këto 30 milionë euro dy muaj do të mund të mbuloheshin këta punonjës të fasonëve. Nuk është puna të mbulohen vetëm 70 mijë kryefamiljare, vajza e gra, por të pengohej përhapja e pandemisë që vjen me një kosto shumë të madhe shëndetësore, vjen me një kosto shumë të madhe ekonomike. Kjo është arsyeja pse jam sot i shqetësuar, i brengosur, i skandalizuar nga shtyrja në kohë e masave mbështetëse të njerëzve. Kollaj t’i thuash rrini në shtëpi, por masat mbështetëse janë gjithçka, testimi janë gjithçka. Ku janë këto masa, pse vonojnë? Pse shkojnë paratë e shqiptarëve në drejtime të panevojshme sot? Ky është shqetësimi im, kjo është thirrja ime. Dhe në qoftë se kam dy javë që e lus qeverisë të marrë masat, sot dua t’i them fare qartë që t’i vërë gishtin kokës, sepse kjo është sjellje e papërgjegjshme, skandaloze dhe të bëjë transparencë. Të publikojë gjithçka. Pse nuk publikohet ku do të shkojnë dhe si do të shkojnë këto para?”, u shpreh Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.