Mblidhet online Konferenca e Kryetarëve/ Javën tjetër nis shqyrtimi i 9 akteve normative lidhur me COVID-19 e dekreti i presidentit për ligjin Anti-KÇK dhe të pronave

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Konferenca e Kryetarëve miratoi sot kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe grafikun e shqyrtimit të akteve normative me fuqinë e ligjit ne komisionet e perhershme parlamentare.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi punimet e konferencës u zhvilluan online, nëpërmjet programit Cisco Webex.

Në fillim të mbledhjes, Ruçi vlerësoi vendimin e Këshillit të Ministrave të BE për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.

“Ju falenderoj të gjithëve ju si edhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për kontributin në këtë proces. Kuvendi i ka dhënë dhe po i jep procesit të integrimit europian legjitimitetin e duhur”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

Pasi i njohu anëtarët e Konferencës me rendin e ditës, Ruçi nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Veprimtaritë parlamentare do të zhvillohen online. Po kështu edhe mbledhjet e komisioneve të përhershme. Kjo do të kërkojë prezencën fizike në Kryesinë e Kuvendit të kryetarëve të komisioneve. Gjatë shqyrtimit të akteve normative dhe projektligjeve të tjera kërkesat për pjesëmarrjen e ministrave mbeten të pandryshuara, pra të njëjta me situatat normale”, tha ai.

Ruçi tha se “në varësi të ecurisë së mbledhjeve të komisioneve si edhe të evoluimit të situatës së pandemisë COVID-19, do të vendosim edhe për zhvillimin e seancës së ardhshme plenare.”

Në mbledhje u miratua edhe grafiku i të komisioneve të përhershme parlamentare, për shqyrtimin e akteve normative me fuqinë e ligjit.

Ndërkohë lidhur me punimet e Konferencës, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se “9 aktet normative që lidhen me luftën kundër Covid-19 dhe ligje të tjera të rëndësishme do të shqyrtohen nga komisionet parlamentare duke filluar nga dita e hënë”.

“Sapo komisionet të përmbyllin punën e tyre online, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë me miratimin e tyre. Gjithashtu Kuvendi sipas Rregullores do të shqyrtojë edhe dy dekretet e Presidentit, i cili ka refuzuar të dekretojë Ligjin anti KÇK dhe Ligjin për “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, tha Balla.

Lidhur me këtë të fundit, Balla tha se “prej më shumë se një viti, është punuar dhe asistuar në një grup pune me ekspertë të Horizontal Facility Programme, financuar nga BE dhe Këshilli i Europës”. “Si BE dhe KiE kanë ofruar në dakordësi mes tyre një skuadër ekspertësh. Grupi i ekspertëve drejtohej nga eksperti, që ka qenë dhe një nga ekspertët e Komisionit të Venecias për Opinionin mbi projektligjin e proceseve kalimtare të pronës në Shqipëri në tetor 2019. Ekspertët kanë sjellë komente me shkrim, sic dhe sqarohet në Raportin për ligjin dhe çdo koment është transpozuar në ligj”, sqaroi Balla.

Konferenca u zhvillua në frymën e një mirëkuptimi të plotë në lidhje me prioritetet e veprimtarisë së Kuvendit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme: miratimi i akteve normative të Këshillit të Ministrave, miratimi i projektligjeve që lidhen me situatën e pandemisë COVID-19 dhe ratifikimi i marrëveshjeve me organizata dhe institucione ndërkombëtare, të cilat janë emergjente.

Kryetari i Kuvendit porositi që për vendimet e Konferencës së Kryetarëve të informohen të gjithë deputetët.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.