Kosovë/MASHTI njofton për vazhdimin e ndërprerjes së procesit mësimor

PRISHTINE, 27 mars /ATSH/ Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) njofton nxënësit, prindërit dhe punonjësit e arsimit në Republikën e Kosovës, se për shkak të situatës emergjente të shkaktuar nga pandemia COVID-19, Qeveria e Kosovës, me datë 26.03.2020 ka marrë vendim për vazhdimin e ndërprerjes së procesit mësimor-edukativ deri në një vendim tjetër.

Ndërprerja e procesit mësimor-edukativ vlen për të gjitha nivelet, nga institucionet parashkollore e deri te institucionet e arsimit të lartë në sektorin publik dhe atë privat.

MASHTI u bën thirrje nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, që të vazhdojnë ndjekjen dhe zbatimin e mësimit në distancë./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.